Një nga pikat kufitare

Aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve doganorë për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve të Doganës për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, dhe “Marrje ryshfeti”, dhe ndaj katër qytetarëve për “Kontrabandim me mallra”, “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, dhe “Tregtia e ndaluar”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit B.M., D.H., I.B., H.D., D.Z., J.B., M.V., A.O. dhe D.K., në periudhën kohore 07 mars 2018 deri më 21 maj 2019, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë të Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtar, si zyrtar doganor, 64 herë u kanë siguruar të pandehurve V.S., V.S., M.A. dhe L.R., kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë, refuz, në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramëve, filtër për cigare “Grande”, 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman”, 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, kjo i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar, rreth 3 milion euro.

Ndërsa, të pandehurit V.S., V.S., M.A., dhe L.R., akuzohen se në periudhën kohore 07 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë të Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë, refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramësh, filtër për cigare “Grande”, 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman”, 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro’’ dhe ”West’’, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.