Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Aktakuzë ndaj mjekut, dyshohet se ia mori mbi 9 mijë euro një personi për punësim

Prokuroria e Prizrenit, të martën ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E. L., i cili në cilësi të mjekut në QKUK në Prishtinë dyshohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

E. L., sipas Prokurorisë ka mashtruar një person duke i marrë të holla në këmbim të punësimit të bashkëshortes së djalit të tij si infermiere në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

Sipas aktakuzës, fillimisht në maj të vitit 2021, ai dyshohet se ia ka marrë 4,000 euro dhe më pas i ka kërkuar të holla për nevoja personale. I pandehuri pasi i merr këto të holla, ka vazhduar të kërkojë të holla nga i dëmtuari ku nga muaji qershor deri në muajin nëntor të vitit 2021, i pandehuri ka marrë edhe 5,650 euro të tjera.

“I pandehuri E. L., e njofton të dëmtuarin se ka njerëz që munden ta punësojnë nusen e djalit, duke kërkuar nga i dëmtuari të holla me qëllim të punësimit të nuses së tij, ku i pandehuri gjatë muajit maj të vitit 2021, takohet në lokalin e të dëmtuarit nga i cili në emër të punësimit të nuses së tij pranon shumën prej 4,000€, dhe i pandehuri pasi i merr këto të holla, vazhdon të kërkojë të holla nga i dëmtuari kinse për nevoja të tij personale”-thuhet në aktakuzë.

Megjithëse sipas prokurorisë i ka marrë në total gati 10 mijë euro, i dyshuari nuk ia ka punësuar renë viktimës.

“I dëmtuari nga muaji qershor i vitit 2021 deri në muajin nëntor të vitit 2021, në periudha të ndryshme kohore të pandehurit në disa pjesë i jep të holla në vlerë prej 5,650€, dhe i pandehuri pas pranimit të hollave, nuk arrin ta punësoj bashkëshorten e djalit të të dëmtuarit, dhe të hollat që i ka marrë në emër të këtij shërbimi të premtuar si dhe të hollat që i kishte marrë kinse për gjëra të tij personale, nuk ia kthen të dëmtuarit, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë prej 9,650 €”- përshkruhet në aktakuzë.

Me këto veprime, E. L., ka përmbushur elementet e veprës penale “Mashtrimi”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.