
Aktakuzë ndaj Labinot Grudës e Kadri Shalës për skandalin e 2.1 milionë eurove
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës për veprat penale keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrje në sistemet kompjuterike, vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes, shpëlarje e parasë dhe ndihma
Labinot Gruda po akuzohet për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, hyrja në sistemet kompjuterike, vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes si dhe shpëlarje e parasë në bashkëkryerje me të pandehurin Kadri Shala.
Ndërsa Kadri Shala po akuzohet për veprat penale shpëlarje e parasë në bashkëveprim me të pandehurin Labinot Grudës edhe për veprën penale ndihma në ndërlidhje me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria Speciale ju njofton se si pasojë e veprimeve të të pandehurve Labinot Grudës dhe Kadri Shalës buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej dy milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent (2,077,995.90) euro.
Po ashtu Prokuroria Speciale e Republikës ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës.
Gjithashtu nga të pandehurit ka kërkuar të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.
Skandali i zhdukjes së 2.1 milionë eurove nga thesari i shtetit është njëri nga rastet e shënjestëruara.