Ilustrim

Aktakuzë ndaj kosovarit, dyshohet se luftoi si pjesëtar i ISIS-it

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.K., të cilin e akuzon për veprën penale  organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri A.K. në muajin  korrik të vitit 2014 me paramendim dhe me dashje pas përgatitjes paraprake me qëllim që t’i bashkohet organizatës terroriste ISIS ka shkuar nga Kosova në Siri, duke udhëtuar nga Aeroporti “Adem Jashari” drejt Stambollit, e prej aty me autobus në qytetin Gazientepe.

Gjithnjë sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, me disa persona tjerë kanë kaluar kufirin në këmbë dhe kishte arritur në qytetin Raqa dhe pasi ishte regjistruar në ISIS, kishte vijuar trajnimet taktike dhe luftarake me armë të zjarrit e pastaj kishte marrë pjesë aktivisht në luftërat e Sirisë.

Prokuroria Speciale thotë se i pandehuri A.K.  fillimisht ishte  anëtar i batalionit “Abu Musab  Zarakaui’’ ndërsa në tetor të vitit 2015 ishte transferuar në batalionin “Umar Hattab” në Damask.

Ndërsa në pranverën e vitit 2016, gjatë një sulmi në aeroportin ushtarak “Al-Damay” derisa ishte në automjet me pjesëtarët e tjerë të ISIS-it, kishin hasur në një minë tokësore dhe pas 4 muajve qëndrim në spital ishte aktivizuar në policinë ushtarake të ISIS-it.

Mirëpo më 29 dhjetor 2017, i pandehuri A.K. ishte arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane dhe më 19 prill 2019 është riatdhesuar në Kosovë.