Aktakuzë ndaj Kadri Kastratit, pretendohet se e kërcënoi një qytetar lidhur me një pronë në Prishtinë

Në emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet hulumtimi rreth një prone në lagjen “Kalabria” të Prishtinës që u bë shkaktar i kanosjeve, shantazheve e sulmeve ndaj shtëpive të personave të përfshirë në një marrëveshje të përbashkët për ndërtimin e objekteve të larta banesore.

Në vitin 2017 Rifat Canolli dhe Fehmi Grajqevci bien dakord për ndërtimin e përbashkët të objekteve banesore më investitorin Eroll Pushkolli. Ndërmjetësuesit e kësaj prone kishin qenë Fehmi Musa dhe Kadri Kastrati që kanë një agjenci të ndërmjetësimit të pronave.

Objektet në fjalë nuk u ndërtuan kurrë. Sot i lartë mbi ato parcela ka mbetur vetëm problemi. Kontrata e nënshkruar nga palët tek noteri nuk gjeti zbatim dhe Canolli e Grajqevci tash i janë drejtuar gjykatës me padi për prishje të kontratës duke kërkuar edhe fitimin e humbur për këto vite.

“Në vitin 2017 kemi nënshkruar kontratë me investitorin Eroll Pushkolli por kontrata nuk gjeti zbatim kurrë dhe kam tentuar ta prish kontratën por nuk kam mundur dhe tash po presim vendimin e Gjykatës për këtë problem”, ka thanë Canolli.

Bashkë me Canollin pronën për ndërtim e kishte ofruar edhe Fehmi Grajqevci. Edhe Grajqevci i është drejtuar gjykatës me padi për shkak se nuk pret të ndërtohen objektet banesore mbi pronën e tij.

“Jo, jo, ka dështuar ai projekt komplet ka dështuar tash ka bo dallavere, pare nuk ka dhe s’pritet me u ndëtu kurrgjë. Padinë e kemi bo të përbashkët edhe unë edhe Canolli për shkëputje të kontratës”, ka thënë Grajqevci.

Canolli pretendon se u kërcënua nga Kadri Kastrati nëpërmjet nipit të tij.

 

“Kadri Kastrati ka ardhur tek shtëpia ime në lagjen ‘Kalabria’, aty ka qëlluar nipi im Qerim Canolli të cilit Kadria i ka thanë se thuaj Rifatit nëse del para gazetarëve dhe flet diçka për mua kam me të zhduk prej faqes së dheut”, ka thanë Rifat Canolli.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kadri Kastratin por ai ka folur shkurt duke i mohuar kërcënimet që po pretendon Rifat Canolli.

“Unë me Rifat Canollin nuk kam pasur kurrë ne jetë kurrgjë, as në jetë nuk iu kam kërcënuar, djalin e tij nuk e kam pa në jetën time, këto janë trillime sa i përket agjencionit kolegu jem të ka thanë krejt shumë respekt për juve unë ma shumë nuk kam çka me deklaru për juve, absolutisht kjo është e gjitha unë jam gjeneral i karrierës dhe në jetën time as nuk iu kam kërcënu kurrkujt as nuk kam njollë të zezë në të kaluarën edhe këto krejt janë trillim”, ka thënë Kastrati i cili gjithashtu ka shtuar se deklarimet e Canollit nuk janë të vërteta.

“Në jetën time kurrë, ato janë rrena, ato janë rrena 1 milion për qind edhe s’ka absolutisht aty të bëjë me atë punë, le ti qet ai sendet në gjykatë janë aty sendet i kemi përpara edhe s’është problem,  por s’janë të vërteta ato asnjë”, ka shtuar Kastrati.

Qerim Canolli ka rrëfyer versionin e tij për ngjarjen dhe momentin e takimit të tij me Kadri Kastratin.

Ndërmjetësues tjetër i kësaj prone ka qenë edhe Halil Musa, i cili punon në një zyrë me Kadri Kastratin.

Musa ka thënë se është Canolli ai që është tërhequr për ndërtimin e banesave.

“Unë i kam takuar fillimisht por edhe kam tentuar edhe disa herë t’i takoj dhe të bëjmë përsëri marrëveshje por Rifat Canolli nuk ka dashur dhe në prezencën time askush nuk është kërcënuar”, ka thënë Musa.

Kërcënimet i ka mohuar edhe Skender Musa që në këtë çështje mbron Eroll Pushkollin, investitorin i cili do duhej t’i ndërtonte objektet.

“As Kadri Kastrati e as Eroll Pushkolli nuk e kanë kërcënuar Canollin sepse jam në dijeni të ngjarjes megjithatë Pushkolli është kërcënuar nga Canolli dhe tash çështja është e hapur në polici”, ka thanë avokati Musa.

Pavarësisht pretendimeve se u kërcënuan apo jo, Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Kadri Kastratit dhe Rifat Canollit.

Aktakuza e Prokurorisë përshkruan se Kadri Kastrati i kishte thënë nipit të Rifat Canollit: “Thuaj Rifatit që nëse del para gazetarëve dhe flet për mua diçka, ka me të zhduk prej faqes se dheut.”

Ndërsa për Rifat Canollin, të cilin e akuzon se e ka kërcënuar Kadri Kastrati, përshkruhet se: “Kam ardhë nga Zvicra për ta prishur shtetësinë e Kosovës, sepse, do t’i vras gjeneral Kadri Kastratin dhe Eroll Pushkollin dhe pastaj, do të shkoj t’i dorëzohem Ambasadës së Zvicrës”.

Prona nga viti 2017 ka mbetur e bllokuar për shkak të problemeve që kanë ndodhur mes personave që kanë hyrë në ndërtim të përbashkët.