Foto: KALLXO.com
Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjitike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këtë për KALLXo.com e kanë konfirmuar burime brenda Prokurorisë Speciale.
KALLXO.com ka provuar të kontaktoj Krasniqin për të marrë një prononcim lidhur me këtë rast, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar me 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit
Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.
Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në njoftim thuhej se Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit Nagip Krasniqi në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i gjeni duke klikuar në LINK.
Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit të datës 20 prill 2023, dyshohet se Nagip Krasniqi prej vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi më 26 janar 2023 kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij Ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin SA, me çmim prej 3,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.