Haxhi Shala - Foto: Facebook

Aktakuzë ndaj ish deputetit Haxhi Shala për vjedhje të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Haxhi Shala, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“H. Sh., ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  të pandehurve S. M., A. K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P. P.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete Meliza Haradinaj – Stublla nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit Haxhi Shala ia kanë shtuar 3 vota.

Në njoftim thuhet se hetimet nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin se ish deputetja Haradinaj – Stublla ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota. Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

 

Dosja e prokurorisë për keqpërdorim të votave, nga kush u premtuan paratë për rritjen e votave ish ministres Haradinaj – Stublla

Në mars të vitit 2021, pas akuzave për blerje të votave, Meliza Haradinaj – Stublla pati dhënë dorëheqje nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe nga të gjitha funksionet e saj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Meliza Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga MPJD dhe AAK