Aktakuzë ndaj gjilanasit që pretendoi se e ka ilaçin për luftimin e COVID-19

Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit K.A për shkak se i njëjti përmes rrjetit social ‘’Facebook’’, ka publikuar  njoftimin për vënien në qarkullim të barit për luftimin e COVID-19.

Sipas prokurorisë, i pandehuri është nga fshati Përlepnicë e Gjilanit.

“Sipas aktakuzës, më 6 prill 2020, i pandehuri K.A., në fshatin Përlepnicë Komuna e Gjilanit, ka vënë në qarkullim barëra ose produkte të dëmshme mjekësore, pa iu bërë kontrolli i nevojshëm nga personi apo enti i autorizuar, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ‘’Facebook’’, ka publikuar  njoftimin për vënien në qarkullim të barit për luftimin e Corona Virusit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

I pandehuri me këtë veprim ka kryer veprën penale ‘”Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’, nga neni 260 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe në këtë mënyrë, i njëjti ka  vepruar në kundërshtim  me  Ligjin  për Shëndetësi  04/L-125 dhe Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale 04/L-190.