Aktakuzë ndaj dy zyrtareve të MASHTI-t dhe dy pronarëve të kompanive, akuzohen se i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës mbi 800 mijë euro
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj N.S., B.B., (zyrtare të MASHT-it) dhe V.B. e M.S. (pronarë të kompanive), për shkak të veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik; Legalizimi i përmbajtjes së rreme; Shmangia nga tatimi; dhe Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas aktakuzës, të pandehurat N.S. dhe B.B., në cilësinë e zyrtareve të MASHT-it, gjatë implementimit të kontratave “Furnizim me Teknologji Informative për nevoja të MASHT-it”, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë vepruar jashtë autorizimeve zyrtare dhe jashtë kompetencave të tyre reale, në atë mënyrë qe me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë dobi pasurore operatori ekonomik, i tejkalojnë kompetencat e tyre si dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, me ç’rast kanë nënshkruar dhe lejuar dokumentacione për pagesa duke tejkaluar 30 % e kontratave publike kornizë që parasheh Ligji i Prokurimit Publik, ku si pasojë kompanisë i kanë sjellë dobi materiale dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm të madh buxhetit të Kosovës, me saktë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas aktakuzës, shuma e llogaritur në total që i është bërë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës është 807,293.36 euro.
Ndër të tjera, të pandehurit N.S., B.B. dhe M.S., gjatë procesit të furnizimit me pajisje teknologjike të Universitetit publik në Gjilan, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve si dhe duke i fshehur faktet e sjellin në lajthim personin tjetër që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, përkatësisht buxhetit të Republikës së Kosovës, ashtu që kanë krijuar dhe nënshkruar dokumentacion me qëllim të duplifikimit të urdhërpagesës, dhe bazuar në këto urdhërpagesa janë ekzekutuar pagesat për të dytën herë për pajisjet që tanimë janë dërguar dhe paguar.
Të pandehurit V.B. dhe M.S. ngarkohen gjithashtu me veprat penale -shmangia nga tatami, dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
Po ashtu, Prokuroria ka propozuar që gjykata të konfiskojë dy banesat e blera më 2018 në vlerë prej 102,500.00 euro dhe 84,000.00 euro, dobi pasurore këto të fituara me vepër penale, si dhe të shqiptojë dënim plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës për të pandehurat N.S. dhe B.B.