Aktakuzë ndaj dy personave për krime lufte kundër popullatës civile
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për krime lufte kundër popullatës civile gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Periudha kohore për të cilën është ngritur aktakuza është 1998-1999.
Përmes një njoftimi për media, Prokuroria Speciale ka përshkruar veprimet e të akuzuarve si maltretime fizike e psikike ndaj popullatës, vrasje, plaçkitje e pasurisë.
Me këto veprime, të akuzuarit S.S. dhe M.S., nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje krime lufte kundër popullatës civile.
Njoftimi i Prokurorisë nuk ka treguar nëse të akuzuarit janë në masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër aplikative që do të siguronte prezencën e të pandehurve në procedurë penale.
Në njoftim nuk tregohet nëse aktakuza është ngritur me propozimin për gjykim në mungesë.
KALLXO.com ka nisur pyetje në Prokurorinë Speciale për të marrë informata.
Njoftimin e plotë të prokurorisë mund ta lexoni më poshtë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy pandehurve për vepra penale që ndërlidhen me krimet e luftës
Prishtinë, 31 tetor 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve S.S dhe M.S.
Sipas aktakuzës për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore 1998 – 1999, me dashje e në bashkëkryerje kanë kryer veprat Penale: vrasje, maltretime fizike dhe psikike, plaçkitje të pasurisë së luajtshme të popullsisë civile
Me këtë në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.