Prokuroria e Ferizajt
Aktakuzë ndaj burrit të pandehur për vrasjen e ish-bashkëshortes në zyrat e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj
Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Aliut për rastin e vrasjes së 21-vjeçares Erona Cokli në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të këtij viti.
Pos veprës penale të vrasjes së rëndë, ndaj Aliut rëndojnë edhe dy akuza – kanosja, dhe – armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të Prokurorisë të datës 04.09.2024, më 12.04.2024 i pandehuri sipas marrëveshjes me QPS-në e ka marrë djalin e tij, e ka dërguar t’i shkurtonte flokët, por pas 40 minutave në objektin e QPS-së nuk është kthyer më fëmijën e tij por i vetëm, dhe e ka vrarë 21-vjeçaren.
Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka filluar pas një fjalosjeje të shkurtë. Fillimisht i pandehuri ka shtënë në tashmë të ndjerën, duke e goditur në kraharor, pastaj ka shtënë edhe në vëllanë e saj.
Në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, tashmë e ndjera është qëlluar edhe dy herë, një herë në gjoks dhe një herë në kokë.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën E.C., me të cilën ka bashkëjetuar, ashtu që fillimisht ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për të ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthej në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas dyzet minutave kthehet pa fëmijën në QPS, dhe rreth orës 14:40 vëren tani të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C, pastaj para tyre hyn në zyrën e QPS-së dhe posa mbërrin e ndjera me vëllain, pas një fjalosje të shkurtë, nxjerr nga brezi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T” dhe shtënë një herë në drejtim të të ndjerës duke e qëlluar në kraharor e pastaj shtënë edhe në drejtim të të dëmtuarit D.C, të cilin e qëllon në krahun e djathtë, pastaj derisa e ndjera E.C., fillon të largohet, e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund në anën e majtë të kokës, ku për pasojë e ndjera nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt të lëshuar sot, 04.09.2024.
“Po ashtu, i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila më 12 prill 2024, është konfiskuar nga policia, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.
Në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt është bërë e ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, i pandehuri V.A., pasi vret të ndjerën E.C., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit me përdorim të armës seriozisht e kanos të dëmtuarën Q.Z., duke ia vendosur armën në ballë me çka ka kryer veprën penale – kanosja.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Ramadan Sylejmani, avokati i Valon Aliut.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë që u mbajt më 13.04.2024, prokurori i Ferizajt, Valdet Avdiu, paraqiti dyshimet që janë ngritur për ngjarjen tragjike që ndodhi më 12.04.2024.
Ai tha se ngjarja kishte ndodhur në zyrën e njërës prej punëtorëve sociale në QPS Ferizaj.
Prokurori Avdiu kishte thënë se ndaj Valon Aliut ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën Erona Coklin, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllanë e saj.
Arma që u përdor në rast sipas prokurorit Avdiu ishte pistoletë e tipit “Zoraki m2906-T” kalibër 9 milimetër. Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët.
Sipas kallëzimit penal që kishte siguruar KALLXO.com, dëshmitare në këtë rast ka qenë punëtorja sociale Qëndresa Zymeri, e cila pos tjerash ka deklaruar se më 12.04.2024, rreth orës 14:40, në zyrën e saj në QPS, i pandehuri ka shtënë me armë disa herë në drejtim të të ndjerës, si dhe në drejtim të dëmtuarit – vëllait të viktimës.
Edhe i dyshuari në deklaratën e tij në Polici ka thënë se brenda në zyre është takuar me të ndjerën, vëllanë e saj dhe punëtoren e QPS-së. Aty edhe ka filluar fjalosja dhe në një moment ka nxjerrë armën dhe fillimisht ka shtënë në drejtim të tashmë të ndjerës apo vëllait të saj pastaj sërish ka shtënë dy apo tri herë në drejtim të Erona Coklit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Kurse sa i përket armës thuhet se të njëjtën e ka blerë në Ferizaj nga një klient dhe nuk ka pasur leje për armë.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Valon Aliu dhe tashmë e ndjera Erona Cokli për t’u marrë vesh në lidhje me fëmijën 1-vjeçar, ishin bërë bashkë në Qendrën për Punë Sociale, e në këtë takim ishte edhe vëllai i mitur i 21-vjeçares.
Takimi ishte duke u zhvilluar në zyrën e njërës prej punëtoreve sociale, Qëndresa Zymeri, brenda hapësirave të Qendrës për Punë Sociale.
Zyrtarja sociale në këtë rast në bazë të dosjes është dëshmitare e rastit tragjik që u shënua në Ferizaj më 12.04.2024.
Në bazë të dëshmisë së saj që ka siguruar KALLXO.com, punëtorja sociale ka rrëfyer se brenda zyrës së saj i dyshuari kishte shtënë disa herë në drejtim të ish-bashkëshortes së tij 21-vjeçare.
KALLXO kishte raportuar edhe mbi të kaluarën kriminale të të dyshuarit Aliu.
Të gjithë artikujt lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.