Aktakuzë ndaj Betim Reçicës dhe tre zyrtarëve të tjerë lidhur me Autostradën e Gjilanit

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve me iniciale B.R, I.B, M.E, dhe L.L., për vepra të ndryshme penale.

KALLXO.com ka kuptuar se kjo aktakuzë është ngritur ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës Betim Reçica dhe tre personave të tjerë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

“Po akuzohet për ushtrim ndikimi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare…, aktakuza është për rastin e Autostradës së Gjilanit dhe është dorëzuar në Gjykatë.. por nuk mundem të them më shumë”, tha Isufaj, pa pranuar të japë më shumë detaje lidhur me rastin.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë përmes telefonit me Betim Reçicën i cili e ka mbyllur telefonin sapo i është parashtruar pyetja.

Prokuroria Speciale njoftoi dje  se aktakuza është ngritur për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri B.R, ka kryer veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Shpëlarje e parasë”.

“Ndërsa për të pandehurit I.B, L.L dhe M.E,  është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Po ashtu në njoftim u bë e ditur se në aktakuzë, është propozuar edhe konfiskimi i pasurisë, gjegjësisht vetura të tipit ”Audi” F2 S7 Sportback, ngjyrë e zezë, viti i prodhimit 2019’, e cila gjatë fazës së hetimit ka rezultuar të jetë pasuri e fituar me vepër penale nga i pandehuri B.R.