Aktakuzë ndaj 6 personave, 125 mijë eurot e fituara në aktivitete kriminale tentuan t’i kthejnë në para të ligjshme

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve me iniciale F.L., Sh.R., H.L., A.O., A.Q dhe L.S.

Për këtë aktakuzë, prokuroria ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore gjatë vitit 2021, e deri në datën e arrestimit të tyre me 20 tetor 2021, në lokacione të ndryshme në Kosovë, të pandehurit A.O., A.Q dhe Sh.R, kanë poseduar shumën e të hollave prej 125 mijë e 240 euro, për të cilat e kanë ditur se janë përfituar përmes aktivitetit kriminal.

Në njoftimin e prokurorisë është thënë se këto aktivitete kriminale aktualisht nuk dihet se kush i ka kryer, por dihet se parat i kishin siguruar me përdorimin e forcës apo mjeteve tjera të forta tek institucionet financiare brenda apo jashtë Kosovës.

Tutje është thënë se të pandehurit A.O., A.Q dhe Sh.R., me dashje dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’.

Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më datë 20 tetor 2021, duke vepruar në bashkëkryerje dhe pas një koordinimi paraprak mes tyre, të pandehurit F.L., Sh.R., H.L., A.O., A.Q dhe L.S., me dashje pasurinë e lartcekur prej 125 mijë e 240 euro, janë përpjekur që t’i këmbejnë ato me para origjinale në shumën prej 30% të shumës së përgjithshme.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të prokurorisë, të pandehurit më pas janë përpjekur që paratë t’i transferojnë tek personat e tretë me qëllimin që të njëjtat të pastrohen dhe të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme.

Prokuroria ka thënë se me këto veprime të pandehurit F.L., Sh.R., H.L., A.O., A.Q dhe L.S., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’.

Po ashtu, prokuroria ka thënë se i pandehuri A.O., në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një armë gjuetie “mosberg patriot” kalibri 30.06 Laser i armës, Dylbi e vendosur në armë, Karikator i zbrazet, thikë me futrollë me mbishkrim Byker, 20 fishek kalibri.

Sipas prokurorisë, edhe i i pandehuri L.S., në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim një pistoletë të tipit Zoraki M906T me katër copë fishek kalibër 7.65 mm, në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armët e tilla.

Prokuroria ka treguar se dy të të pandehurit e lartcekur, me këto veprimje, secili prej tyre veç e veç kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve’’.