Prokuroria e Gjilanit

Aktakuzë ndaj 4 personave për keqpërdorim detyre lidhur me ndriqimin publik në Ranilluk

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve G. J., I. Gj., B. Gj. dhe S. D., për keqpërdorime në një tender në komunën e Ranillukut.

 Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria e Gjilanit përmes njoftimit për media.

Sipas aktakuzës, që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranilluk, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtar në komunën e Ranillukut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Tutje sipas Prokurorisë në tenderin me titull ‘’Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018’’, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, ashtu që me mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8,307.00 €, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë.

Prokuroria tutje pretendon se të akuzuarit i kanë pranuar gjashtë pozicione të pa kryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të komunës së Ranillukut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranillukut i paguan si pozicione të kryera.

 “Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimin e saj Prokuroria e Gjilanit.