Foto: KALLXO.com
Aktakuzë ndaj 3 anëtarëve të komisionit për pranimin e punëtorëve në minierën "Trepça"
Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur më 16.10.2024 aktakuzë ndaj tre të dyshuarve për veprën penale – cenim i të drejtës së punësimit.
“Kundër të pandehurve A.H, E.M, dhe B.A, është ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Cenimi i të Drejtave të Punësimit dhe Papunësisë, nga neni 219 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në lidhje me aktakuzën thuhet se të pandehurit si anëtarë të komisionit për pranimin e punëtorëve në minierën “Trepça” SH.A., në janar të vitit 2020 me dashje kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Të pandehurit në bashkëkryerje dhe me dashje kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke mos përfillur procedurat e rekrutimit të përcaktuara sipas udhëzimit administrativ të MPMS, lidhur me rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik”- ka njoftuar Prokuroria e Mitrovicës.
Tutje në njoftim thuhet se të njëjtit kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit.
“Gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me njëzet (20) pikë siç rregullohet në udhëzimin administrativ, në këtë rast të pandehurit i kanë vlerësuar kandidatët me nga njëzetepesë (25) pikë në total me mbi njëqin (100) deri në treqind (300) pikë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë
Prokuroria ka potencuar se të pandehurit pas procesit të vlerësimit punëtorët i kanë sistemuar në vende pune dhe kanë themeluar marrëdhënie të punës me shtatë persona dhe me këtë veprim kandidatëve të tjerë ua kanë mohuar të drejtën për punësim dhe kushte të njëjta ashtu siç parashihet me ligj.