Aktakuzë kundër shtatë personave lidhur rastin e 400 kilogramëve kokainë në Lipjan

Në lidhje me rastin e 400 kilogramëve me kokainë të gjendur vitin e kaluar në Lipjan, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave me inicialet I.SH., F.V., K.SH., K.B., F.B., H.SH., N.M., nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ dhe ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’.

Prokuroria Speciale njofton se të njëjtit i akuzon edhe për veprat ’Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare si dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, kjo aktakuzë është në lidhje me rastin e 400 kilogramëve me kokainë e cila është sekuestruar në hapësirën e kompanisë “MC FOOD” sh.p.k. në Lipjan në vitin 2021.

Gjithashtu, Prokuroria njofton se ka kërkuar sekuestrimin e mjeteve të cilat janë përdorur për kryerjen e këtyre veprave penale të cilat ua vë barrën shtatë personave të dyshuar.

Lidhur me këtë rast dy persona veçse janë në vuajtje të paraburgimit.

Në muajin maj të vitit 2021, 400 kilogramë drogë të llojit kokainë ishin kapur në oborrin e kësaj kompanie private në hyrje të Lipjanit.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e barte atë.

Në atë kohë, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se sipas informatave dërgesa ishte nisur nga Brazili.

Isufaj kishte rrëfyer se si kishin marrë informatën fillestare për nisjen e këtij operacioni anti-drogë dhe se gjatë tërë kohës kishin bashkëpunuar me autoritetet italiane e shqiptare dhe ka konfirmuar se pjesë e aksionit ka qenë edhe DEA amerikane.