Ilustrim

Aktakuzë kundër pesë personave për falsifikim të 1 mijë e 250 eurove në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Personat me inicialet B.B., T.P., V.Z., L.E. dhe A.P., dyshohet se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dhe vënë në qarkullim 1 mijë 250 euro, ndërsa, në total Policia ka arritur të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., gjatë periudhës së muajit Tetor e deri në fillim të muajit Nëntor 2021, ka poseduar para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur ia shet të pandehurit T.P., 1 mijë 250 euro të gjitha në monedha metalike nga 2 euro me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim.

I pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300 euro falso paguan 200 euro origjinale, ndërsa herën e dytë për 400 euro falso paguan 300 euro origjinale e kështu me radhë derisa nga i pandehuri B.B blen 1 mijë e 250 euro monedha false për 900 euro monedha origjinale.

Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas këtij njoftimi pas zbatimit të urdhër-kontrollit të Gjykatës nga ana e Policisë, arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 € në veturën ‘’VV Polo’’ në pronësi të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të pandehurve V.Z., L.E., dhe A.P., ku në total, Policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro falso.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.