Milaim Zeka - Arkiv

Aktakuzat, një nga arsyet për suspendimin e Milaim Zekës nga RTK

Gazetari Milaim Zeka, producent ekzekutiv për programin satelitor në RTK, është suspenduar nga puna për 6 muaj.

Një nga arsyet që janë përmendur për shkarkimin e Zekës nga RTK-ja, janë edhe aktakuzat e ngritura ndaj tij nga Prokurori Themelore e Prishtinës dhe ajo Speciale.

Zeka akuzohet për mashtrim me viza pune, video-incizime të paautorizuara dhe deklarime kërcënuese ndaj një prokurori.

Në 2018-ën, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për mashtrim të 900 aplikuesve për viza pune dhe shmangie tatimi.

Ndërkaq, më 2021 Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Milaim Zekës, duke e akuzuar për veprën penale të fotografimit dhe incizimit të paautorizuar.

Një aktakuzë tjetër ndaj Zekës nga Prokuroria e Prishtinës ishte ngritur në 2019, në lidhje me deklarimet e tij ndaj një prokurori.

Shkumbin Ahmetxhekaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, ka thënë për KALLXO.com se një nga arsyet e suspendimit të Zekës nga puna për 6 muaj në RTK- janë edhe aktakuzat e ngritura nga prokuroria.

“Zeka është suspenduar me faktin se kam kërkuar nga Prokuroria Themelore që ta sqarojë pozicionin e tij juridik dhe është konstatuar se ka tri aktakuza të konfirmuara dhe dy në proces”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Në anën tjetër, Milaim Zeka ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të komentojë vendimin për suspendimin e tij nga puna, pasi ai ende nuk e ka marrë atë.

“Nuk mund ta komentoj një vendim që nuk e kam pranuar. Kjo është fushatë mediatike kundër meje, kurgjo tjetër s’është, më tutje, kur ta marr vendimin i ndjekim procedurat me avokat, me gjykata, të gjitha”, ka thënë Zeka.

Zeka në RTK mbante pozitën e producentit ekzekutiv për programin satelitor.

Milaim Zeka suspendohet nga puna në RTK