Gjykimi në Prizren për tentim vrasje | Foto: Kallxo.com

Aktakuza për tentim vrasjen, viktima deklarohet në gjykatë: ‘Këtë punë ia kemi lënë Zotit dhe drejtësisë’

Hamdi dhe Rilind Zulfaj, të akuzuar për vrasje në tentativë janë ulur sërish sot më 26.08.2024 në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Hamd dhe Rilind Zulfaj akuzohen se pas një mosmarrëveshje paraprake për servisimin e një automjeti kanë tentuar ta vrasin të dëmtuarin J. B..

Në seancën e sotme para trupit gjykues me kryetar Artan Serjani është lexuar aktakuza dhe të akuzuarit janë deklaruar rreth fajësisë.

Të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë nga aktakuza e ngritur më 27.06.2024.

Seanca vazhdoi me paraqitjen e provave dhe dëshmuan dy dëshmitarë.

Në cilësinë e dëshmitarit u pyet i dëmtuari J.B.. I njëjti u pyet nga mbrojtësi i tij avokat Sefer Morina, se nëse i kujtohej se me çka e kishin goditur, sa herë e kishin goditur dhe në cilat pjesë.

“Më kanë goditur me thikë, disa herë, pjesën më vitale të turpit, në qafë” – tha i dëmtuar J.B..

Atij iu parashtrua edhe pyetja se sa thika i kishte parë ai personalisht, këtë pyetja ia parashtroi përfaqësuesi i të akuzuarit Rilind Zulfaj, avokati Blerim Mazreku.

“E kam pa një thikë, ndërsa Hamdia e mbajke dorën në brezë me pretendimin se ka diçka”-  u përgjigj dëshmitari.

I pyetur edhe për raportet tash më të akuzuarit dëshmitari tha ‘’Familja e tyre ka kërkuar që mos të hakmerremi, në ju kemi thënë që nuk do të merremi dhe këtë punë ia kemi lënë Zotit dhe drejtësisë”.

Gjatë seancës deklaroi edhe dëshmitari L. B..

Ai u pyet nga avokati Blerim Mazreku se nëse e kishe dëgjuar bisedën e realizuar në mes djalit të tij dhe Hamdisë (i akuzuari). Dëshmitari u përgjigj se nuk e kishte dëgjuar.

Ndër të tjerash, atij i parashtroi pyetje edhe përfaqësuesi i të akzuarit Hamdi Zulfaj avokat Miftar Qelaj se a janë pajtuar familjet pasi që ka ndodhur ky rast.

“Po kanë dërguar njerëz, ne ja kemi lënë drejtësisë dhe drejtësia të merret me këtë, ne nuk jemi për me vrarë njerëz” – u përgjigj dëshmitari L.B..

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, seanca e radhës u caktua me 24.10.2024.

Prokuroria më datë 24.06.2024 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Hamdi Zulfaj dhe Rilind Zulfaj, për shkak se në bashkëkryerje pretendohet që kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, më datë 10.05.2024 rreth orës 18:51 në rrugën “Transiti i Ri” në lagjen Arbana të Prizrenit, saktësisht në një autoservis, me dashje fillojnë kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit J.B., të cilën nuk e përfundojnë.

Sipas Prokurorisë rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me servisimin e një veture që kishte ndodhur një ditë më parë, në mes të pandehurit Hamdi Zulfaj dhe të dëmtuarit J. B.

Gjithnjë sipas aktakuzës – “Derisa i njëjti ishte duke punuar në brendësinë e një automjeti në punëtorinë e tij, për një moment paraqiten të pandehurit Hamdi Zulfaj dhe Rilind Zulfaj, të cilët pa ndërruar asnjë fjalë derisa i dëmtuari ndodhej brenda veturës dhe në pozicion të pa mbrojtur, të pandehurit nxjerrin thikat dhe me të njëjtat e godasin disa herë të dëmtuarin”.

Në përshkrimin e aktakuzës, thuhet se i dëmtuari është goditur në pjesën e qafës dhe në regjionin e veshit të majtë derisa e vërejnë dëshmitarin Sh. B., i cili hyn në mes për të penguar sulmin e mëtejmë. I dëmtuari si rezultat i plagëve të marra me mjet të mprehtë, në pjesë vitale të trupit, përfundon në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Ndërkaq, të pandehurit me veturën e tyre të markës “Mercedes Benz 220C”, pas kryerjes së krimit largohen nga vendi i ngjarjes dhe bëhet e ditur që deri më datë 11.05.2024 bëhen të pa arritshëm për organet e ndjekjes.

Raportimin e KALLXO.com në lidhje më këtë çështje i gjeni në këtë LINK.