
Aktakuza për spiunazh: Foto, diagrame e skicime; si u munduan të akuzuarit të krijojnë narrativë të dëmshme për luftën e UÇK-së dhe Spitalet për trafikim organesh
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë kosovarët e arrestuar, e më pas të akuzuar për veprën penale të spiunazhit.
Prokuroria Speciale pretendon se të akuzuarit përmes komunikimit me zyrtarë të lartë të BIA-s serbe iu kanë ofruar informacione e dokumentacione, të cilat kishin të bënin me luftën e fundit në Kosovë: emra të ushtarëve, emra të mjekëve – duke u munduar të bëjnë ndërlidhje të Shtëpisë së Verdhë dhe Spitalit Ushtarak të Mollopolcit për trafikim organesh.
Ndër provat që janë të listuara në këtë Aktakuzë janë: libra që i kanë siguruar të akuzuarit, të cilët janë shkruar për luftën e fundit në Kosovë, eprorët e saj, Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Mollopolc.
Pjesë të nxjerra nga libra e gazeta të ndryshme – sipas Prokurorisë – janë përdorur nga Shabani, që t’i japë për qëllime të BIA-s serbe – duke u munduar t’i ndërlidhë rastin e Spitalit “Medikus” dhe “Shtëpinë e Verdhë”, në të cilën pretendohej se janë bërë transplante të organeve njerëzore.
Kapituj nga libri “Shëndetësia e Ferizajit me rrethinë në shekullin XX” ishin marrë dhe i ishin dërguar strukturave të BIA-s – duke u munduar t’i ofrojnë dëshmi, sa i përket luftës së fundit në Kosovë.
Në Aktakuzë shpjegohet tutje se si është munduar i pandehuri të krijojë narrativë të dëmshme për shtetin e Kosovës, në veçanti luftën e UÇK-së – duke tentuar t’i denigrojë dhe mjekët e ofruesit e shërbimeve mjekësore në Spitalin e Mollopolcit, gjatë vitit 1998-1999; duke u munduar që t’i ndërlidhë të gjitha këto me rastin e “Shtëpisë së Verdhë”, në Burrel të Shqipërisë.
Madje, këto i akuzuari ishte munduar që t’i elaborojë sa më mirë, duke përpiluar edhe skicime e fotografi, për të shpeguar ndërlidhjen në mënyrë figurative.
Tutje sipas Prokurorisë, në njërën nga provat ku i akuzuari ishte nën masa të fshehta konfirmohet se Shabani vazhdimisht insiston që librin sa i përket Spitalit Ushtarak – të improvizuar në Mollopolc – ta përdorin si dëshmi.
“Ju ende nuk e dini çfarë libri keni pranuar dhe çfarë vlere ka. Problemi është të takohemi dhe të fillojmë punën, ndërsa nuk është problem që unë të shkoj dhe gjithçka do të shpjegoj rreth librave; dhe nëse është nevoja do ta dërgojë origjinalin – të mos mendojmë se kam shpikuar ndonjë gjë.” – përshkruhen bisedat e bëra mes Shabanit e Srgjan Rosiq dhe Bogoljub Janiçeviq.
Më 17.05.2024, sipas Prokurorisë, Shabani në pikën kufitare Dheu i Bardhë kalon me autobus dhe po të njëjtën ditë pas disa orësh kthehet në Kosovë. Qëndrim 10-minutësh Prokuroria përshkruan të ketë bërë Shabani edhe më 16.04.2024, ku kishte kaluar në territorin e Serbisë dhe pastaj ishte kthyer mbrapsht në Kosovë.
Në këto kalime kufitare, Prokuroria thotë se Shabani kishte takuar fizikisht zyrtarët e BIA-s serbe dhe ju kishte dhënë dokumentacione dhe informacionet e përmendura.
Ndër dëshmitë e siguruara nga Prokuroria Speciale thuhet se Shabani kishte marrë informacione edhe për rastet ku flitej për Gjykatën Speciale në Hagë, nga mediume të ndryshme.
Kështu më 25.05.2023 ishte nxjerrë një shkrim më titullin “Richard Grenell takohet me Ramën: Duhet të bëjmë më shumë për të liruar Hashim Thaçin”.
Dëshmi të tjera të marra nga Prokuroria Speciale janë edhe librat “Jeta mund vdekjen”, ku ishin paraqitur përjetimet dhe ngjarjet gjatë luftës së fundit në Kosovë për ngjarje të ndryshme.
Dëshmi tjetër e siguruar nga PSRK është edhe libri tjetër me temën “Spitali Ushtarak i UÇK-së i Zonës Operative të Pashtrikut. Sipas Prokurorisë, në këtë libër janë paraqitur përjetimet dhe ngjarjet gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryesisht i kushtohet aspektit shëndetësor: trajtime të ndryshme të të plagosurve dhe trajtimi i tyre nga mjekë të ndryshëm të cilët kanë vepruar në këto zona.
Prokuroria thotë se nga këta libra janë nxjerrë shënime dhe pjesë përmbajtësore të librave, që kanë të bëjnë më luftën e UÇK-së – duke cekur një skriptë prej 11-faqesh, e në të cilat ka shënime dhe foto të personave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku në mesin e tyre janë edhe Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Musa Jashari, të cilët janë identifikuar me emra dhe me foto.
Ajo çka ka ngjall çudi te Prokuroria Speciale është se si kishte arritur i akuzuari Shabani të siguronte mesazhe private të personave të cilët kishin komunikuar në rrjete sociale për luftën në Kosovë.
Nga të gjitha këto prova të elaboruara nga PSRK është arritur në përfundim se këto informacione kanë pasur për qëllim të trajtojnë veprimtarinë e eprorëve të UÇK-së, stafit mjekësor nga zonat e luftës, më konkretisht Spitalin e Mollopolcit. Pra, personeli i cili ka kontribuar në këtë Spital – duke i listuar me emra dhe me fotografi.
Të gjitha këto informacione dhe dokumentacione i janë dhënë BIA-s serbe përmes Bedri Shabanit te Sërgjan Rroshiq dhe Bogoljub Janiçeviq. Prokuroria pretendon se këto të dhëna janë përdorur nga shteti serb për interesa të veta.
Prokuroria kishte bërë ekzaminime të telefonave që i ishin gjetur Shabanit në pronësi, ku në këta telefona kishin gjetur shënime të shumta që dyshohen se janë mbledhje e informacioneve për t’iu dërguar BIA-s serbe.
“E kam pritur përgjigjen tënde. E kujtoj se nuk ka asgjë.” – sipas Prokurorisë është lënë të nënkuptohet se ka pritur përgjigjen nga dikush në gjuhën serbe.
Fotografia tjetër e nxjerrë nga telefoni i sekuestruar i të akuzuarit përmban një tekst ku përmenden disa tituj gazetash për tentimin e ndërkombëtarëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, e që sipas Prokurorisë qëllimi i tij ka qenë që të njoftojë BIA-n serbe.
Tekst tjetër i marrë nga Prokuroria Speciale në telefonin e të akuzuarit “Nuk do të humb kohë dhe do të vazhdoj rrugën time që e kam planifikuar qëmoti, mirëpo kam pritur vetëm për ju”. Pra sipas Prokurorisë, kjo është një pritje e përgjigjes nga një lajmëtar me nofkën Gjoka – duke e njoftuar se nga muaji maj nuk do të jetë këtu dhe beson personalisht se nuk do ta ftojnë fare – duke iu referuar Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Prokuroria e ka bindjen e fortë se Shabani kishte zhvilluar komunikime telefonike me zyrtarët e BIA-s serbe përmes një telefoni që e mbante në dollapin e dhomës së tij, me qëllim të spiunazhit.
Në telefonat që i kishte sekuestruar Prokuroria konsiderohen se janë nxjerrë një numër i madh i fotografive, që janë përdorur nga i akuzuari për spiunazh.
PSRK kishte arritur që të grumbullonte edhe shkrime që Shabani i kishte bërë Zyrës së Prokurorisë Speciale në Hagë – duke shprehur dyshimet për krimet e kryera gjatë luftës së UÇK-së dhe është i brengosur se punët nuk janë duke shkuar sipas planifikimit; e se Shabani është i gatshëm të bashkëpunojë me ta.
Prokuroria kishte arritur të nxirrte si provë edhe një shkrim tjetër, ku Shabani i kishte shkruar Zyrës së Prokurorisë së Specializuar që të hetohet më shumë rreth Spitalit Ushtarak të Mollopolcit.
Në listën e të dhënave që kishte mbledhur Bedri Shabani janë edhe emrat e personave të cilët kishin dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviçit.
Gjatë provave të elaboruara janë edhe disa foldere, ku njëri ndër ta mban emrin Diagrame. Aty janë gjithsej 60 fotografi në të cilat i akuzuari e ka bërë strukturimin në formë të diagramit: veprimet e eprorëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së; në mënyrën se si ishte arrestuar – sipas tij, më 14 korrik 1999, si ishte trajtuar gjatë ndalimit, si dhe veprime të tjera, duke i paraqitur me skica.
Bedri Shabani kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje: edhe në Polici, edhe në Prokurori.
Avokati Berisha: I dyshuari për spiunazh është dëshmitar i Prokurorisë në Hagë