Aktakuza për rastin e Banjskës: Si i kërcënonte Radoiçiqi organet e sigurisë në Kosovë në prani të Vuçiqit?

“I keni dëgjuar këta trima çfarë thonë, unë do t’ju them vetëm një gjë në emër të të gjithëve, sa herë tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje”.

Kështu është cituar Millan Radoiçiq në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për rastin e sulmit terrorist që u bë në Banjskë më 23.09.2024.

Ky fjalim i shkurtër i Radoiçiqit i cituar nga ana e Prokurorisë Speciale është vlerësuar se është kërcënues për organet e sigurisë në Kosovë.

Fjalimi në fjalë, sipas aktakuzës, lë të kuptohet se ai e ka rolin kyç në udhëheqjen e grupeve kriminale që veprojnë në pjesën veriore.

“Është organizator i të gjitha ngjarjeve dhe incidenteve të cilat kanë ndodhur në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe në të njëjtën kohë konfirmon qëllimin e tij për organizimet e ardhshme dhe rezistencë deri në vdekje” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë për rastin e Banjskës.

Millan Radoiçiq në takimin e mbajtur më 13.10.2021 në Rashkë që sipas Prokurorisë paraqet fillin e organizimit të grupit terrorist.
Screenshot: Aktakuza e Prokurorisë Speciale

Me fotografi e me video Prokuroria në Dosjen që ka siguruar KALLXO.com dëshmon se ky fjalim u bë para presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Deklarata e ish nënkryetarit të Listës Serbe u bë më 13.10.2024 në Rashkë të Serbisë në një takim që u mbajt nga krerët shtetëror të Serbisë me disa persona nga veriu i Kosovës.

Aleksandar Vuciq në takimin e mbajtur më 13.10.2021 në Rashkë që sipas Prokurorisë paraqet fillin e organizimit të grupit terrorist. Screenshot: Aktakuza e Prokurorisë Speciale

Pas këtij takimi dyshohet se ka filluar të organizohet grupi terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit para rreth një viti.

Të akuzuar për këtë sulm janë 45 persona, e në krye të tyre u bë e ditur se qëndron ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Dosja tregon se në duart e Prokurorisë Speciale janë disa prej dëshmive më të fuqishme të cilat vënë në pah fillet e organizmit, përgatitjet paraprake, sulmin në ditën kritike dhe pasojat, të cilat ekzistojnë edhe në mënyrë vizuele.

Video që ka Prokuroria, në aktakuzë thuhet se dëshmon se si nisen fillet e organizimit të grupit dhe kërkimi i përkrahjes me qëllim të kryerjes së veprave të rënda penale për të cilat ngarkohen të pandehurit, ku sipas aktakuzës marrin pjesë edhe struktura të larta shtetërore të Serbisë dhe pjesëtarë të strukturave ilegale të Serbisë të cilat veprojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Dosja tregon se në takime janë edhe Millan Radoiçiq e Vladimir Radivojeviq me pseudonimin “Mami” e që gjatë takimit kërkojnë armatosjen dhe fillimin e rezistencës së armatosur kundër institucioneve të Kosovës në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në videon e siguruar nga Prokuroria, Radivojeviq apo ndryshe “Mami” jep një deklaratë edhe para të parit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mami” në video dëgjohet duke treguar një rast të një plagosjeje të një djali në Rudarë, duke thënë se në “drejtim të djalit të plagosur kanë shtënë me armë të të gjitha llojeve të armatimit”.

Dosja shpjegon se si më pas Vuçiq ka kërkuar sqarime shtesë, por që “Mami” ndërpritet nga një grua që vazhdon të flasë duke thënë se “nuk kanë më durim”.

Aktakuza tregon se pas gruas flet prapë “Mami”, i cili në dosje citohet duke thënë kështu “vetëm dua ta dijë se a do ta kemi mbështetjen e shtetit? A kemi njerëz që mund të iu besojmë, të cilët janë tanët, mendoj se herë tjetër nuk do të ketë, jam duke folur këtu në emër të këtyre të rinjve, të cilët besoj se pajtohen me mua”.

Video që posedon Prokuroria tregon se ky fjalim më pas brohoritet e duartrokitet nga të pranishmit e tjerë duke bërë të ditur se pajtohen me “Mamin”.

Vladimir Radivojeviq i njohur si “Mami”, në takimin e mbajtur më 13.10.2021 në Rashkë që sipas Prokurorisë paraqet fillin e organizimit të grupit terrorist.
Screenshot: Aktakuza e Prokurorisë Speciale

45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale për sulmin terrorist në Banjskë janë Millan Radoiciq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.

Më 24.09.2023, në orët e para të ditës, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Jo më larg së të dielën e fundit, më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.

Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.

Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.

Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.

Hulumtimi i BIRN kishte bërë të ditur se prejardhja e disa prej armëve që u sekuestruan ishte nga Serbia.

BIRN kishte zbuluar se plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi në vitin 2022, ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.

Çështja e Banjskë vazhdon të mbesë temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare që mbahen e që diskutohet për raportet Kosovë-Serbi.

Më 25.06.2024 zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, kishte ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë.

Në një konferencë për media, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.

Po atë ditë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ishte përgjigjur Stanos, duke thënë se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqësh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar (2023).