Zafir Berisha, ish deputet i NISMA-s. Foto: Facebook

Aktakuza për kanosjen e Shaqir Totajt, Zafir Berisha del para gjykatës më 18 tetor

Zafir Berisha, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, më 18 tetor të këtij viti do të dalë para gjykatës për t’u përballur me akuzat për kanosje ndaj kryetarit të Komunë së Prizrenit, Shaqir Totajt.

Rasti ka ndodhur kur kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj (PDK) ka raportuar në Policinë e Kosovës se është kanosur përmes telefonit nga ish-deputeti Berisha.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve politike si shkak i emërimeve të drejtorëve në shkolla.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar KALLXO.com, Berisha më 23 qershor të këtij viti përmes telefonit e ka kanosur Totajn.

“Do gjëra është dasht me koh mi sqaru jo tash mu sjell “kalova lumin …. spom duhet kali”, se jeta është me e gjate se sa pe llogarit”, është mesazhi që Berisha dyshohet t’i këtë dërguar kryetarit të Prizrenit.

Dosja e prokurorisë tregon se Berisha tutje edhe ditën pasuese ka dërguar përsëri mesazh të Totaj “me kan than qe je pis dhe i paftyr po skam besu sot ma vërtetove, ti po mendon qe me ke përdor si salvet një perdorimshe po dije pa ti q* r*** met ngre zhag neper Prizren nuk e prishi koalicionin si pot mesij mercenaret e vv dhe hajnat qe i ki i ke afër, dije këtë”.

Prokuroria në akuzën e saj ka konstatuar se me këto mesazhe është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij te i dëmtuari Totaj.

Aktakuza është ngritur më 18 korrik 2022, ndërkaq shqyrtimi fillestar për këtë rast është caktuar të mbahet më 18 tetor.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.