Aktakuza për hedhje të gazit lotsjellës, Konjufca përsëri nuk shkon në Gjykatë

Seanca gjyqësore e paraparë të mbahet sot ndaj kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për hedhje të gazit lotsjellës, nuk është mbajtur.

Shkak për këtë u bë mungesa e kryetarit të Kuvendit në seancë gjyqësore.

Avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri kishte kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë tjetër, me arsyen se Konjufca gjendet jashtë vendit.

Në këto rrethana, gjyqtarja e rastit Edita Çanta për KALLXO.com konfirmoi se seanca është shtyrë për kohë të pa caktuar.

Edhe herën e fundit, kur seanca ishte paraparë të mbahet me 13 prill të këtij vitit, Konjufca nuk ishte paraqitur në gjykatë me arsyen se i njëjti kishte angazhime të tjera në profesionin që e ushtron.

Gjyqtarja në atë seancë njoftoi palët se ka njoftuar stacionin policor lidhur me revokimin e urdhëresave për sjellje me detyrim ndaj Adem Grabovcit dhe Ismet Beqirit në cilësinë e dëshmitarëve.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet për veprën përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Në aktakuzë përshkruhet se në seancën e Kuvendit të datës 10.08.2016, në cilësi të deputetit, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë plenare.

Gjithashtu më këtë aktakuzë, Konjufca po akuzohet edhe për veprën pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, meqë siç përshkruhet në aktakuzë, deputetët e tjerë janë detyruar të ndërpresin seancën dhe të largohen nga salla.