Procesi gjyqesor per faljen e 4 hidrocentraleve | Foto: KALLXO.com

Aktakuza për faljen e 4 hidrocentraleve, procesi gjyqësor drejt fundit

Procesi gjyqësor, të cilin janë të përfshirë figura të larta të politikës, ish-ministra në qeverinë Thaçi 2, është duke shkuar drejtë fundit.

Rasti i “Hidrocentraleve”, për privatizimin e katër hidrocentraleve, në të cilën janë të akuzuar katër ish-ministra të Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha në pozitën si menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e Arben Xhuka si drejtor menaxhues i KEK-ut.

Prokurori i prokurorisë speciale Atdhe Dema, në seancën e sotme tha fjalën përfundimtare, duke deklaruar se aktakuza e prokurorisë u vërtetua në tërësi pasi që provat e prezantuara në shqyrtim gjyqësor janë vërtetuar në mënyrë të plotë.

“Aktakuza u vërtetua ne tërësi. Nga provat e nxjerra në shqyrtim, u vërtetua në mënyrë të plotë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale te përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës”-  tha prokurori Dema.

Ai kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpall fajtorë dhe të njëjtit t’i dënoj sipas ligjit për veprat që ju vihen në barrë.

“Në fund i propozoj gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe dënohen sipas ligjit”- tha tutje prokurori Dema.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Besim Beqa, Besnik Berisha, aktakuzën e prokurorisë e quajti “elegji”.

“Një aktakuzë, e cila as nuk mund të konsiderohet elegji, e as nuk mund të titullohet komedi” – tha avokati Berisha.

“Në apelin tonë është edhe një kërkesë, që kur ju të vendosni nëse kishte apo jo vepër penale, ta shtroni edhe një çështje, nëse gjykimi ishte i nevojshëm dhe hetimi ishte objektiv” – shtoi tutje avokati Berisha.

Ndërsa mbrojtësi i Fllanza Hoxhës, Artan Qerkini tha që prokuroria nuk ka arritur t’i provojë pretendimet se buxhetit të shtetit u është shkaktuar dëm.

“Pretendimet se buxhetit ju ka shkaktuar dëm dhe pretendimet që të pandehurit kanë vepruar me qëllim që me i shkaktu dëm KEK-ut, e të cilat Prokuroria ka synuar t’i provojë me mjete provuese, sipas mbrojtjes nuk ja ka dalë”- tha Qerkini.

Qerkini kërkoj që Fllanza Hoxha dhe të tjerët të lirohen nga akuzat pasi që prokuroria nuk ka arritur t’i provojë elementet objektive dhe subjektive

“Mbrojta konsideron që prokurori nuk ia ka dalë që t’i provoj elementet objektive dhe subjektive…, dhe kërkoj që Fllanza Hoxha dhe të tjerët të lirohen”- tha për fund Qerkini.

Fjalët përfundimtare në lidhje me këtë rast nga të akuzuarit e tjerë, do të thuhen me 2 nëntor të këtij viti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu (Ka pushuar ndjekja penale ndaj tij), anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë ‘Thaçi 2” theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.