Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit, veteranët e UÇK-së protestojnë më 9 korrik

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë thirrur protestë për datën 9 korrik.

Protesta sipas një njoftimi përmes një video të publikuar nga kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati do të mbahet nga ora 12 në Prishtinë nën moton “Çlirimtarët dhe kriminelët nuk janë një”.

Hysni Gucati, Kryetari i OVL-UÇK, ka thënë se kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

“Ftoj të gjithë veteranët e UÇK qytetarët të gjithë të na bashkëngjiten në protestën gjithë popullore që do të mbahet nga Organizatat e Veteranëve të Luftës. Ne kemi qenë dhe jemi kundër Gjykatës Speciale”, ka thënë në një video të publikuar, Gucati.

Jetullah Geci, ish- Komandant, ka bërë thirrje për protestë paqësore.

“U bëj ftesë të gjithë veteranëve për protestë paqësore”, ka thënë ish- Komandanti i UÇK-së, Geci.

Nasim Haradinaj, Nënkryetar i OVL-UÇK-së, ka kërkuar bashkim të qytetarëve.

“UÇK edhe në raste më të vështira ka bërë bashkimin e unitetit edhe sot është dita që të bashkohemi njëjtë. Ju ftojmë në protesta të mbrojmë UÇK-në të mbrojmë shtetin”, tha Haradinaj.

Një protestë të tillë e kishin paralajmëruar drejtuesit e OVL-UÇK-së në një konferencë për media pas publikimit të njoftimit për aktakuzën ndaj Presidentit Hashim Thaçi e ish- kryeparlamentarit Kadri Veseli nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

 

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës, një aktakuzë në të cilën ka paraqitur dhjetë pika ku akuzohen Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe të tjerë për një sërë  krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas njoftimit thuhet se kjo aktakuzë i është dërguar më 24 prill, në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Gjithashtu në njoftim thuhet se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Tutje në njoftim thuhet edhe se nxjerrja e këtij njoftimi publik për këtë aktakuzë është për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit nuk është konfirmuar ende.