Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit, PDK kërkon llogaridhënie për keqpërdorimet nga pushteti aktual

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar llogaridhënie nga të gjithë akterët e përfshirë në ketë rast.

Çitaku, tha se PDK i jep mbështetjen e plotë organeve të drejtësisë, të cilat sipas saj, kanë marrë përsipër zbulimin e keqpërdorimeve milionëshe në këto tri vitet e fundit në fushën e energjisë.

“Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje. Prandaj, sot, Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mos-deklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike etj”- tha ajo.

Çitaku tutje përmendi raste të keqpërdorimeve nga pushteti aktual dhe ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve të tij, duke thënë se para ligjit dhe drejtësisë, askush nuk guxon të jetë i paprekshëm.

“Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministres së vendit, Donika Gërvallës. Tani, na thoni, si mund ta quajmë ndryshe një pushtet, përveç se korruptiv, për të cilin nuk kalon asnjë muaj pa një skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Edhe një herë, mos harroni: Të gjithë këta njerëz, edhe shumë të tjerë të cilët kanë defiluar gjatë këtyre viteve nëpër lajmet e skandaleve, asnjë nuk ka dhënë llogari”- tha ajo.

Sipas Çitakut, arrestimi i Nagip Krasniqit është maja e një ajsbergu, në të cilin i kanë rrënjët thellë eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, që sipas saj, i ngjason një “Mafie Energjetike”.

“Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 për qind qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të Kryeministrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv, me tregtim të energjisë”- theksoi ajo.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjitike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nagip Krasniqi ishte arrestuar me 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.

Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhej se Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e të pandehurit Nagip Krasniqi në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Aktakuza ndaj ish kryeshefit të KEK-ut, Abdixhiku: Më 9 shkurt bie mafia energjetike