Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Aktakuza ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës për tenderin mbi 900 mijë euro, shtyhet seanca

Ka dështuar të mbahet seanca për Xhelil Bekteshin dhe Besim Tahirit, dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë seancë është paraparë që të dëgjohet fjala përfundimtare e palëve.

Shtyrja e seancës erdhi nga propozimi i të akuzuarit, Xhelil Bekteshit pasi që mungonte mbrojtësi i tij, avokati Skender Musa, për të cilin Bekteshi njoftoi se e ka autorizuar me datën 13 të këtij muaji, por që datën e sotme, avokati i tij ka pasur angazhime të mëhershme.

Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se derisa ishte në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V.R. që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26 qershor 2016.

Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar, si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erëza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 2.5.2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit të datës 29.4.2016, me qëllim që tenderi t’i jepet kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.

Lidhur me këtë rast Gjykata Themelore e Prishtinës Bekteshin e Tahirin i ka shpallur fajtorë për veprën për të cilën janë akuzuar, por që rasti është kthyer në rigjykim.

Atyre iu ishte shqiptuar dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, edhe atë pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Ish-zyrtarët janë obliguar nga Gjykata e Prishtinës që t’ia kompensojnë Ministrisë së Infrastrukturës dëmin në vlerë 29,828 euro.

Tutje ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe deri më tani ka vazhduar procedura deri në fjalën përfundimtare të palëve.

Dosja e Prokurorisë: Si u largua nga gara kompania me çmim më të lirë për magjistralen Prishtinë – Pejë?