Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Aktakuza e re ndaj Hashim Thaçit, reagon kryetari i PDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Speciale për ngritjen e një aktakuze të re ndaj Hashim Thaçit dhe katër të tjerëve.
Krasniqi ka thënë se njoftimi për aktakuzë të re ndaj Thaçit ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.
Kreu i PDK-së ka thënë se shqetësimet thellohen edhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për Hajredin Kuçin.
“Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?”- ka pohuar ai.
Më tej Krasniqi ka potencuar se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet, dhe siç ka thënë ai më tej, çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri.
“Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës”- ka shkruar kreu i PDK-së.
Gjykata Speciale në Hagë ka bërë të ditur më 06.12.2024 se është ngritur aktakuzë të re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut. Ata po akuzohen për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.