Aktakuza e radhës për një tjetër grua të rikthyer nga Siria

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj A. M-Z. Për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Kështu ka njoftuar prokuroria duke shpjeguar edhe se aktakuza është ngritur gjatë ditës së sotme.

Sipas aktakuzës, e rikthyera, A. M-Z. Kishte shkuar në Siri, më 12 shtator të vitit 2014, përmes pikës kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, së bashku me bashkëshortin e saj A. M. dhe vajzën e saj ku kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit dhe më pas kanë vazhduar për në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak me qëllim që të iu bashkëngjitet grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”.

Gjithashtu aktakuza sqaron se e njëjta gjatë qëndrimit në zonat e luftës ka pasur vizita nga persona të ndryshëm, në mesin e të cilëve L. M., R. H. me gruan e tij dhe të tjerë, si dhe gjatë qëndrimit në Siri, në zonat e luftës ka pranuar shuma nga 50 deri 150 dollarë për muaj, pako ushqimore dhe gjëra higjienike dhe se bashkëshorti i saj A. M. ka ushtruar me ushtrinë Siriane, si dhe ka dhënë ligjërata në xhaminë në qytetin Minbixh.

Ndërsa, e pandehura A. M-Z. më 20 prill të këtij viti, nga autoritetet e drejtësisë amerikane është ri-atdhesuar  në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për rikthimin e 32 grave, 74 fëmijëve dhe katër burrave nga zonat e luftës në Siri e Irak.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar edhe për aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale në lidhje me pjesëmarrjen e grave dhe burrave në organizatat terroriste.

Ngriten tri aktakuza për tri gra të rikthyera nga Siria

Kthimi i grave dhe fëmijëve nga Siria

Aktakuzë ndaj të kthyerit nga Siria që pretendohet se luftoi përkrah ISIS-it