Aktakuza: Dhurata Hoxha përcaktoi emrin e kompanisë fituese për lobim në kundërshtim me ligjin

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, drejtori i prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish sekretarët e Ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepër penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar.

Të pesë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Integrimeve po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e ngritur kundër tyre ku përshkruhen veprimet e secilit të lartpërmendur në lidhje me nënshkrimin e kontratës lobuese.

Sipas aktakuzës, hetimet në lidhje me këtë rast filluan me kërkesën e prokurorit special Dren Paca, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com në lidhje me “Kontratat Lobuese”.

Sipas kësaj aktakuze, Dhurata Hoxha akuzohet se gjatë kohës sa ishte ministre i kishte tejkaluar kompetencat e saj në momentin kur kishte iniciuar procedurën e prokurimit dhe kishte përcaktuar se cila procedurë e prokurimit duhej të aplikohej madje edhe kishte përcaktuar emrin e kompanisë fituese për zbatimin e kontratës.

Hoxha akuzohet se këto veprime i kishte ndërmarrë në vazhdimësi pasi me kërkesë të saj ishin vazhduar kontratat me kompaninë franceze, e të cilat buxhetit të Kosovës i kishin kushtuar qindra mijëra euro.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohet edhe drejtori i prokurimit, Fitim Mustafa. Prokuroria pretendon se Mustafa i kishte keqpërdorë detyrat e tij në momentin kur kishte kërkuar nga sekretarët e Ministrisë që ta zbatonin kërkesën e ministres Dhurata Hoxha për lidhjen dhe vazhdimin e kontratës me kompaninë franceze.

E njëjta vepër rëndon edhe mbi tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve.

Demush Shasha akuzohet se i kishte mundësuar përftim kompanisë franceze në momentin kur e kishte aprovuar kërkesën e drejtorit Fitim Mustafa dhe kishte lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesa ishte në kundërshtim me ligjin dhe se ministrja nuk ishte personi kompetent për ta iniciuar procedurën, për të përcaktuar se si do të zhvillohej procedura e prokurimit dhe as të përcaktonte kompaninë fituese.

Sipas aktakuzës këtë aktivitet Shasha fillimisht e kishte pezulluar më 23 qershor 2018 ndërsa më pas e kishte lejuar që të vazhdonte.

Sikurse ish-sekretari Demush Shasha akuzohen edhe dy sekretarët e MIE-së.

Kushtrim Cuka dhe Nuhi Osmani akuzohen se e kishin keqpërdorur detyrën e tyre pasi i kishin mundësuar përfitim kompanisë franceze me rastin e aprovimit të kërkesës së drejtorit të prokurimit edhe pse ishin në dijeni se kërkesa e tillë ishte iniciuar nga ministrja Hoxha, e cila nuk ishte personi kompetent që të inicionte dhe as të përcaktonte procedurën apo emrin e kompanisë fituese.

Në maj të vitit 2020, BIRN kishte zbuluar se Ministria e Integrimeve Evropiane i pagoi 168,000 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

1 vit më vonë, Prokuroria Speciale pas një hetimi disamujor arriti që të formojë bindjen e saj se kontratat në fjalë ishin në kundërshtim me ligjin.

Madje në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet se kompania në fjalë kishte marrë paratë edhe pse kishte raportuar për çështje që nuk kanë qenë relevante me kontratën e nënshkruar.

Kontrata me kompaninë “Majorelle” kishte për qëllim promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ndërsa kompania në raportet e saj kishte shkruar për procesin zgjedhor në Kosovë dhe kishte raportuar edhe si ishte emëruar Richard Grenell, emisar i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Një prej pak rezultateve konkrete të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport pesëfaqësh me një anglishte të dobët të cilën kjo kompani e kishte adresuar te Qëndrim Gashi, ambasadori i Kosovës në Francë. Raporti është i datës 20 shtator 2019.

Raporti thotë se: “Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar shpejt në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…”

Raporti i kompanisë e bën të qartë se ndryshimi i kufijve ishte agjenda që po ndiqej nga klienti i saj kosovar dhe se këto përpjekje po rezultonin të pasuksesshme.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm.

https://kallxo.com/gjate/hulumtim/parate-e-taksapaguesve-u-perdoren-per-te-lobuar-per-ndryshim-te-kufijve/