Foto: KALLXO.com

Aksioni policor në veri, Gjermania i bashkohet SHBA-së në "zhgënjimin" me autoritetet e Kosovës

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde e ka mbështetur reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës të realizuar në veri të vendit, më 30.08.2024, kundër strukturave paralele serbe.

Ambasadori Rohde shprehu “shqetësimet dhe zhgënjimin” e Gjermanisë, njëllojë sikurse shprehu edhe Ambasada e ShBA-së në reagimin e saj.

Përderisa Ambasada e ShBA-së theksoi se instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga Qeveria për të kryer aksione të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës për “të vazhduar konsultimin dhe koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare”, ambasadori Rohde ka shkuar edhe një hap përtej. 

“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkangjitet Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në shprehjen e shqetësimeve dhe zhgënjimit ndaj aksioneve të pakoodinuara. Kjo duhet ndryshuar. Ne duam të heqim masat dhe të ecim përpara në lidhje me integrimin europian dhe rajonal të Kosovës. Jo më shumë gjendje kritike të panevojshme” – ka shkruar Rohde në platformën X.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë se bashkë me partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave pasqyron një rritje të përkeqësimit real të partneritetit tonë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Për ta, aksionet e pakoordinuara të Qeverisë i vënë në rrezik qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

“Siç kemi theksuar më parë, aksionet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”” – kanë shtuar nga Ambasada e ShBA-së.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës njoftoi se aksioni që zgjati për disa orë kundër institucioneve paralele ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.

Policia tha se janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.

Policia ka bërë të ditur edhe çfarë provash materiale janë konfiskuar në këto institucione ku u zhvilluan kontrollat policore.

Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.

“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.08.2024.

Policia shton se i tërë aksioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për t’u veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.

Gjatë kohës sa zhvillohej aksioni i Policisë në veri të Kosovës, më 30.08.2024 edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Sipas ministrit Krasniqi, komunat paralele që u përmenden se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.

Në anën tjetër, aksioni i Policisë së Kosovës i realizuar të premten, më 30.08.2024, në Mitrovicë të Veriut u përcoll dhe raportua nga vendi i ngarjes nga ekipi i KALLXO.com.

Në kuadër të aksionit që zhvilloi Policia e Kosovës në ndërtesën e strukturave paralele në Lagjen e Boshnjakëve, këtij objekti iu vendos shiriti.

KALLXO.com po ashtu ka vrojtuar edhe një patrull policore në afërsi të Stacionit të autobusëve në Mitrovicë të Veriut, e ku dyshohet se u zhvillua aksion i ngjashëm nga Policia sikurse në ndërtesën e strukturave paralele.

Në dy lokacionet e vrojtuara, te ndërtesa e strukturave paralele në Lagjen e Boshnjakëve dhe në afërsi të Stacionit të autobusëve në Mitrovicë të Veriut, prezente ishin edhe vetura të misionit të EULEX-it dhe KFOR-it.

Ndërsa, së fundmi zëvëndësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani e konfirmoi për KALLXO.com se Policia e Kosovës është duke kryer aksion edhe në Komunën e Leposaviqit.