Aksioni policor në Pejë: Konfiskohet arsenal armësh, arrestohen 11 persona

Tre armë të gjata gjysmë- automatike, gjashtë armë të vogla, dy karikator, një palë dylbi, 180 fishekë, 2 mijë euro, dy vetura e 12 telefona janë konfiskuar në një aksion të gjerë policor të shtrirë në dhjetë lokacione të ndryshme në rajonin e Pejës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në lidhje me këtë rast janë arrestuar edhe 11 persona.

Të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për kontrabandë me armë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), pas hetimeve disa mujore, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti Special sot, më 29.09.2020, në orët e mëngjesit ka realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës. Gjatë këtij operacioni policor, janë kontrolluar shtëpi dhe objekte përcjellëse në 10 (dhjetë) lokacione të ndryshme. Hetuesit e DHKO-së janë përkrahur nga njësitet policore: Njësia Speciale Operative (NJSO), Njësia me qenë -K9  dhe dy  njësi të Stacionit Policor Pejë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit janë arrestuar 11 (njëmbëdhjetë të dyshuar: B.M. (1977, m/k), S.R. (1975, m/k), I.R. (1954, f/k), B.U. (1981, m/k), S.K. (1968, m/k), F.P. (1970, m/k), A.C. (1978, m/k), A.F. (1983, m/k), K.S. (1974, m/k), A.S. (1964, m/k) dhe B.H. (1955, m/k). Kurse, i dyshuari P.M. (1984, m/k), nuk është hasur nga policia dhe mbetet në kërkim policor.

Të gjithë të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit të rastit.

Paratë e konfiskuara nga aksioni policor, Foto: Policia e Kosovës/ Facebook
Armet e konfiskuara gjatë aksionit, Foto: Policia e Kosovës/ Facebook