Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Foto: Xhelal Sveçla/Facebook

Aksioni policor në disa Komuna - deklarohen ministrat Krasniqi dhe Sveçla - VIDEO

“Ka përfunduar epoka e Komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Kosovë.” – kanë deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i  Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Deklarata e tyre vjen pas aksionit policor në disa Komuna të vendit, kundër strukturave ilegale serbe.

Aksioni u zhvillua edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sveçla ka thënë se të mërkurën, më 15.01.2025, janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në: Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj, si dhe Posta e Zyra Tatimore ilegale.

“Nga sot, kapitulli i institucioneve paralele ilegale kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllet. Në Banjë e gjithandej në pjesë tjera të Republikës së Kosovës, objektet komunale, postat, zyrat tatimore, të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë.” – ka deklaruar ministri Sveçla.

“Nga sot, 28 Komunat paralele kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht. Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës.” – ka thënë ministri Krasniqi.

Sveçla ka theksuar se, ashtu siç janë zotuar, nuk lejojnë asnjë paralelizëm, e aq më tepër kriminal të Serbisë, që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vend.

KALLXO.com raportoi se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, në orët e hershme të mëngjesit, më 15.01.2025, ka nisur një operacion policor në disa rajone të Kosovës.

Operacioni i Policisë po zhvillohet në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshin disa rajone të Kosovës, si: DRP – Prishtinë, DRP – Gjilan, DRP – Gjakovë dhe DRP – Mitrovicë Jugu.” – ka thënë Kelani.

KALLXO.com ka qëndruar edhe në Graçanicë dhe ka sjellur pamjet nga aksioni:

Një javë më parë, më 08.01.2025, KALLXO.com ka raportuar se Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut, për të cilën KALLXO kishte raportuar në nëntor të vitit 2024 se funksiononte ilegalisht si Administratë Tatimore.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani. Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia.

“Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si Zyrë Tatimore – si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – ka thënë Elshani.

KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024, se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes, që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

“Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

Ministri Elbert Krasniqi kishte njoftuar më 30.08.2024, se janë mbyllur Komunat paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Sipas Krasniqit, pesë Komunat paralele që kishte përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 Komunave të tjera paralele, të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Më 26.01.2024 u mbyllën katër Komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një Komunë ilegale serbe në Pejë, e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në Komunën e Klinës, Istogut.