Aksioni për verifikim të ndërtimeve në Brezovicë po vazhdon edhe sot

Prokuroria e Ferizajt është duke vazhduar edhe sot operacionin për identifikimin dhe regjistrimin e shtëpizave në zonën e Brezovicës.

Ky aksion, sipas prokurorisë, është duke u kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Prokuroria ka njoftuar se qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar, se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.

Ky aksion i sotëm është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës.

Në lidhje me rastin e njohur për publikun si “Brezovica” tashmë janë zhvilluar disa aksione nga ana e policisë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me rastin.