Aksioni në veri përplasë Vjosa Osmanin dhe ministrin e Serbisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është duke u mbajtur mbledhja e radhës për Kosovën, gjatë së cilës është diskutuar edhe aksioni për kontrabandë i Policisë së Kosovës i cili u zhvillua ditë më parë në disa qytete të Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e vendit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq ka pretenduar se gjatë këtij aksioni të Policisë së Kosovës janë përdorur armë të zjarrit dhe ‘kimikale’.

“Në sulmin e fundit me armë zjarri nga forcat speciale të Prishtinës janë përdorur armë të zjarrit dhe kimikale. Një 71 vjeçar ka vdekur nga këto kimikale të përdorura. Këto provokime demonstrojnë se institucionet nuk kanë për qëllim të implementojnë marrëveshjet arritura në dialog”, ka thënë ai.

Selakoviq ka shtuar se ‘dhuna nga Policia e Prishtinës po bëhet çështje e përditshmërisë për serbët në veri të Kosovës’ duke theksuar se është hera e nëntë që organet e rendit të Kosovës po ndërhyjnë në veri.

Ndaj këtyre, deklaratave ka reaguar në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu.

Ajo tha lufta kundër krimit nuk është e negociueshme me askënd.

Ajo theksoi se aksioni i organeve të drejtësisë ka qenë veprim ligjor dhe se nuk ka qenë kundër një komuniteti të caktuar.

“Lufta kundër krimit nuk është e negoicionushme. Ka qenë veprim në shumë qytete të Kosovës dhe jo vetëm në veri. Shumica prej të arrestuarve janë shqiptarë. NATO, KFOR-i dhe ambasadat e shteteve mike të Kosovës, kanë qenë në dijeni se kjo ka qenë një veprim ligjor. Lufta kundër krimit të organizuar është e përbashkët. Aksioni ka qenë në shumë qytete të Kosovës në qytete të ndryshme me një të përbashkët, luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, tha ajo.