Aksioni në veri, drejtori i Policisë: Ka pasur rrjedhje të informacionit, jemi duke e hetuar

Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka deklaruar se njësitet policore janë penguar nga qytetarët të cilët në drejtim të tyre kanë gjuajtur me armë, granata e gjithashtu theksoi se ka pasur edhe granata dore luftarake.

Mehmeti tha se operacioni ka nisur që një vit dhe se veprimet operacionale janë zhvilluar gjatë gjithë kohës.

Ai u shpreh se ka pasur edhe rrjedhje të informacionit, e që janë duke e hetuar.

“Operacioni ka mbuluar dy raste, njëri “RIU”, tjetri “MJEKËRRA” .Dyshohet se për operacionin ka pasur një rrjedhje të informacionit. Është duke u hetuar”, tha në konferencë për media, drejtori i Policisë.

Ai deklaroi se nga nëntë lokacionet e planifikuara për kontroll në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveqan, në tetë lokacione nuk është arritur që të përfundojë në tërësi për shkak njësitë policore dhe doganore janë penguar.

“Në orët e hershme sot ka nis operacioni policor, kryesisht në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të J dhe Vb dhe Zveçan. Kemi bërë kontrolle, sekuestrim të mallrave dhe arrestim të personave të dyshuar. Gjitha veprimet janë realizuar me koordinim me institucionet tjera, prokuroritë dhe gjykatat. Në Mitrovicën e Veriut  grupe të personave kanë bllokuar rrugët, kanë hedhur bombola gazi, kanë përdorur mjete transportuese, kanë hedhur shok bomba, kanë shtënë me armë zjarri dhe kanë hedhur granta dore në drejtim të pjesëtarëve”, ka thënë drejtori Mehmeti.

Ai tha se pjesëtarët e policisë kanë pësuar lëndime të lehta, dhe janë rrezikut për jetë.