Aksioni në rastin 'Brezovica', 15 të arrestuarit dyshohen për fajde, shmangie tatimore dhe detyrim

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

15 persona janë arrestuar dje nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes së 31 lokacioneve në qytete të ndryshme në kuadër të hetimeve për rastin “Brezovica”.

Policia ka njoftuar se fillimisht janë arrestuar 14 të dyshuar dhe më pas është arrestuar edhe një person tjetër, nën dyshimin se janë të përfshirë në kryerjen e veprave “Fajdeja dhe Bashkëkryerja”.

Sipas Policisë, gjatë bastisjes janë sekuestruar armë, vetura e para.

“Si dëshmi janë sekuestruar 8 armë të ndryshme me 76 fishekë kalibër i ndryshëm, 2 shufra metalike, DVR, 22 vetura, 2 motoçikleta, 83,995 euro, 16 USB dhe dokumente të ndryshme”- thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar dje se lidhur me rastin, të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Detyrimi”.

Në këtë aksion i cili është zhvilluar në koordinim me Gjykatën e Prokurorinë Themelore në Ferizaj, njësitet e ATK-së, dhe njësitet e Doganës së Kosovës, janë bastisur tetë auto sallone, 21 shtëpi dhe disa lokale përcjellëse.

Sipas njoftimit të Prokurorisë ky aksion u zhvilluar në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit, dhe komunën e Vitisë.

Dosja Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit.

Dosja ngre dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mito nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.

Raportimet e KALLXO.com për ketë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.