Mbyllet institucioni paralel te "Tre Rrokaqiejt" në Mitrovicë të Veriut, 26.12.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Aksioni në institucionin paralel në lagjen "Tre Rrokaqiejt", në mur e vendosur edhe fotografia e Putinit

Mbyllet institucioni palelel i Serbisë në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, në Mitrovicë të Veriut.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas bastisjes  te “Tre Rrokaqiejt”, në Mitrovicë të Veriut, më 26.12.2024, në një objekt ku dyshohej se bëhej “falsifikim i dokumenteve”.

“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut.”- tha Sveçla.

Sipas ministrit, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët e bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre.

“Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund.”- përfundoi ai.

Policia e Kosovës kishte mbyllur më 16.10.2024 ndërtesën, e cila ishte shfrytëzuar ilegalisht nga Serbia si Komunë paralele e Skenderajt.

Ky institucion ilegal serb kishte selinë në Mitrovicë të Veriut.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kishte njoftuar se më 30.08.2024 janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë, duke cenuar kushtetutshmërinë e ligjet e Republikës së Kosovës.

Në vargun e mbylljes së objekteve ilegale paralele në veri të vendit po pretendohet se ende veprojnë të tilla në këtë zonë.

Burime të KALLXO.com kishin thënë se në “Lagjen e Boshnjakëve” po operon objekti paralel me “Drejtorinë për Tatim”.

Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksionon e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

KALLXO.com kishte hyrë brenda këtij objekti paralel, ku kishte punojnës në të dhe po funksiononte. Për të verifikuar, çka konkretisht po ofrohet gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes për ta nxjerrë letërnjoftimin e Serbisë.”