Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN
Aksioni në bankën paralele në Leposaviq, Policia tregon se sa para janë sekuestruar
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me aksionin e datës 12.09.2024 të krimeve ekonomike në bankën paralele në Leposaviq.
Policia njofton se njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat penale shpëlarje e parasë dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë sekuestruar 5 milionë e 772 mijë e 313 dinarë serb, 57 mijë e 626 dollarë amerikan, 10 mijë e 835 euro, 2 mijë e 790 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë.
Gjithashtu, njoftohet se janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.
“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë kryer në konsultim e koordinim me prokurorin e shtetit” – thotë PK.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, të enjten ka deklaruar se me urdhër të gjykatës në Mitrovicë, kanë kryer bastisje në një lokacion ku dyshohej se është banka popullore e Serbisë, dega në Kosovë edhe Drejtoria e Thesarit, Ministria e Financave të Serbisë.
Policia e Kosovës bastis bankën paralele serbe në Leposaviq