Policia e Kosovës te Stacioni i autobusëve në Mitrovicë të Veriut, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Aksioni kundër institucioneve paralele në veri, Policia shihet në afërsi të Stacionit të autobusëve në Mitrovicën e Veriut
Pas raportimit se Policia e Kosovës është duke kryer disa kontrolle në ndërtesën e strukturave paralele në Lagjen e Boshnjakëve, një patrull policore është parë edhe në afërsi të Stacionit të autobusëve në Mitrovicë të Veriut.
Zëvëndesdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani e konfirmoi për KALLXO.com se Policia po vepron në lokacione të ndryshme pasi ka informata inteligjente se në këto lokacione po lëshohen dokumente të falsifikuara.
Ekipi i KALLXO.com po raporton nga vendi i ngjarjes dhe ka parë në dy lokacionet e vrojtuara, te ndërtesa e strukturave paralele në Lagjen e Boshnjakëve dhe në afërsi të Stacionit të autobusëve në Mitrovicë të Veriut se prezente janë edhe vetura të Misionit të EULEX dhe KFOR.
Në anën tjetër, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi njoftoi se të premten, më 30.08.2024, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, ministri Krasniqi ka bërë të ditur se cilat komuna paralele nuk do të operojnë më.
“Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit” – ka shkruar ministri Krasniqi në Facebook, më 30.08.2024.
Sipas ministrit Krasniqi, pesë komunat paralele që ka përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.