Aksioni i Prokurorisë Speciale – 3 të arrestuar e dhjetëra prona me urdhër ndalesë të përkohshme
Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhër ndalues të përkohshëm për 39 banesa, 30 garazhe, dy lokale afariste, 17 parcela dhe ka bllokuar 5 xhirollogari duke ngrirë mbi 179 mijë euro.
Krejt këto erdhën pas bastisjeve që bënë Prokuroria bashkë me Policinë e Kosovës në katër lokacione në rajonin e Prishtinës e një në rajonin e Gjilanit.
Gjatë aksionit janë arrestuar tre të dyshuar, ndërsa i dyshuari i katërt nuk është gjetur në vendbanimin e tij, sipas komunikatës.
Bastisjet janë kryer lidhur me veprat penale mashtrim, falsifikimin i dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, që dyshohet se janë kryer në periudhën 2020 – 2024.
Përmes këtyre veprave, të dyshuarit dyshohet të kenë përfituar mjete materiale në vlera të mëdha të cilat më pas dyshohet se i kanë shpërlarë me qëllim të futjes në sistemin financiar të Kosovës.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: tre folderë/dosje me dokumentacion të ndryshëm si kontrata, autorizime, certifikata të pronave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara, një revole e tipit VIZOR 50 cal 7.65, një karikator me 7 fishekë, dy karikatorë të zbrazur të armës AK-47, 58 copë municion të kalibrave të ndryshëm, 09/copë municion 12/A të armës së gjuetisë, një veturë BMË ngjyrë e zezë me targa vendore, viti prodhimit 2022, pronë e të dyshuarit (V.C.), një veturë Volksëagen-VË Tiguan ngjyrë zezë me targa vendore, viti i prodhimit 2017 pronë e të dyshuarit (V.C.), një telefon HUAËEI, tre telefon IPHONE dhe një laptop” – thuhet në komunikatë.
Banesat për të cilat është lëshuar urdhër ndalesa janë gjithsej 3 mijë e 929.52 metra katrorë, dërsa parcelat 29 mijë e 903 metra katrorë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës janë ndaluar për 48 orë.