Aksioni i prokurorisë së Pejës, aktakuzë për lëshimin e lejeve në kundërshtim me ligjin në Klinë
Prokuroria e Pejës në korrik të vitit të kaluar kishte zhvilluar një aksion në disa komuna në regjionin e Pejës, që kishte përfunduar me prangosjen e shumë zyrtarëve të komunave.
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj L. M., A. G. dhe N.G., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të akuzuarit dyshohet se jashtë kompetencave kanë lëshuar leje ndërtimi për subjekte ekonomike.
“I pandehuri L. M, (në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtjes se Mjedisit), në tejkalim të kompetencave të tij zyrtare dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për hekurudhat, nxjerr vendime me të cilat i mundëson subjektit ekonomik të caktuar ndërtimin e objektit në afërsi të vijës hekurudhore, duke mos respektuar distancën e paraparë me ligjin në fjalë”, thuhet në njoftim e Prokurorisë.
Tutje, bëhet e ditur se i pandehuri N.G., (inspektor i ndërtimi), duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, si dhe duke vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërtim, ligjin për inspektorat dhe udhëzimin administrativ për mbikëqyrje inspektuese i mundëson subjekteve të caktuara ekonomike në tri raste të ndara, ndërtimin e objekteve në kundërshtim me lejet dhe kushtet ndërtimore.
Sot gjatë ditës prokuroria ka njoftuar edhe për aktakuzën ndaj zyrtarëve të Komunës së Deçanit.
Kallxo.com kishte publikuar emision “Arrestimet për ndërtime” ku shfaqen pamje të arrestimit të zyrtarëve dhe zhvillimit të këtij aksioni.
Prokurorja e këtij aksioni ishte zotuar se do të hetojë se ku përfunduan paratë e ndërtimeve.
Prokurorja zotohet se do të hetojë ku përfunduan paratë e ndërtimeve