Aksioni i policisë në Shtërpcë, reagon Zyra e udhëhequr nga Petkoviq

Për disa orë në mëngjesin e sotëm u kryen disa bastisje në katër lokacione të ndryshme, u larguan kamerat e sigurisë dhe u sekuestrua serveri i atyre kamerave në Shtërpcë.

Këto kamera sipas prokurorisë, kanë funksionuar në kundërshtim me ligjin dhe janë vendosur nga strukturat paralele serbe në Komunën e Shtërpcës.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas këtij aksioni në të cilin nuk pati ndonjë të arrestuar.

Ata aksionin e sotëm e kanë quajtur të qëllimshëm për të frikësuar serbët në Komunën e Shterpcës.

“Edhe pse njësitë nga Prishtina e dinë shumë mirë se kamerat, të cilat janë instaluar ligjërisht para gati dhjetë vjetësh, nuk kanë qenë në funksion për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë kontrolluar disa herë në ditët e kaluara, kjo ka shërbyer si arsyetim për ta pushtojnë sërish Shtërpcën, të ngacmojnë njerëzit që nuk mund të funksionojnë normalisht”, thuhet në reagim.

Tutje në të njëjtin reagim, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kanë thënë se aksioni i zhvilluar nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj u bë në ditë feste ku mblidhet një numër i madh i banorëve vendas.

“Nuk ka dyshim se ka një sulm të ri dhe presion ndaj serbëve që të largohen nga dera e tyre sepse nuk ka arsye të arsyeshme për një veprim të ri të ROSU-së në këtë komunitet serb”, vazhdon reagimi.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me aksionin për të cilin prokurori i rastit Rasim Maloku tha se nuk ka lidhje direkt me rastin “Brezovica”.

“Ky aksion nuk lidhet direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish kryetari i komunës Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale e që këto struktura kanë menaxhuar  me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës e që këto informacione janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi”, theksoi Maloku, duke shtuar se sot janë duke u bastisur 4 lokacione.

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, tha Maloku për KALLXO.com.