Vali Corleone | Foto: Facebook

Aksioni i Policisë në shtëpinë e ‘Vali Corleone’, flet avokati i tij

Sherif Sherifi, avokati i ‘Vali Corleone’ në shtëpinë e së cilit sot u zhvillua një operacion nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Pastrim i parave”, ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

Ai tha se në mëngjesin e sotëm është kontaktuar nga familja e ‘Corleones’, të cilët e kanë njoftuar avokatin për operacionin e Policisë.

Sherifi tha se ka shkruar tek shtëpia e klientit të tij ku edhe është takuar me familjarët e tjerë.

Tutje, avokati tregon se bastisja e Policisë ka zgjatur vetëm 15 minuta në shtëpinë e ‘Carleones’ dhe se kjo bastisje ka rezultuar e pastër.

“Ka filluar bastisja në orën 09:45 dhe ka përfunduar rreth orës 10:00. Bastisja ka rezultuar e pastër”- shprehet avokati.

Ai tutje tregon se Policia në cilësinë e dëshmitares ka intervistuar edhe personin që bashkëjeton me Corleonen dhe se të njëjtës i është konfiskuar edhe telefoni.

“Për korrektësi është konfiskuar telefoni Iphone 14, i vajzës e cila bashkëjeton me Valin, Anitës”- tha avokati.

Tutje Sherifi tregon se ka pyetur Policinë se në çfarë cilësie është intervistuar vajza në fjalë, nga të cilët avokati tregon se ka marr përgjigje se është në cilësinë e dëshmitares.

“Na kemi paraqit kundërshtimet tona sepse dëshmitares nuk mund t’i konfiskohet prona”- ka thënë avokati duke treguar se dëshmitarja në mënyrë vullnetare ia ka dhënë Policisë telefonin dhe kodin pasi nuk ka pas diçka të dyshimtë në të.

Në anën tjetër, në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se ‘Corleone’ dyshohet për kryerje të veprës penale “Pastrim i parave” të cilën dyshohet ta ketë kryer (konsumuar) gjatë periudhës kohore tetor 2022.

Ky i fundit, sipas Policisë përmes rrjetit social “Tik-Tok” ka prezantuar për publikun para me ngjyrë të cilat dyshohet të jenë përfituar nga kryerja e veprave penale të ndryshme.

Policia njoftoi se nuk kanë hasur në të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe se ‘Corleone’ dyshohet se është në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Operacioni në shtëpinë e në lokalet përcjellëse të ‘Corleones’ u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit duke u bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Policia tregoi se gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave si dhe një telefon celular.

Policia zhvillon operacion në shtëpinë e ‘Vali Corleone’