Ilustrim

Aksioni i Policisë në Prishtinë, Pejë e Gjilan, kapen 45 kg drogë, arrestohen 6 persona

Në tri operacione policore në tri rajone të vendit, në Prishtinë, Pejë dhe Gjilan, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi dyzetepesë kilogramë drogë dhe ka arrestuar gjashtë persona.

Sipas komunikatës, Policia operacioni i parë është realizuar sot rreth orës 15:00.

“Në orët e pasdites në Magjistralen Prishtinë-Gjilan, afër fshatit Hajvali në asistencë edhe të njësive për reagim të shpejtë të Policisë në Prishtinë (NJRSH), është arrit të ndalohet një automjet i tipit Golf 7, me targa vendore. Gjatë operacionit të kontrollit në bagazhin e automjetit janë gjetur tri (3) çanta me gjithsej nëntë (9) paketime me substancë të dyshuar narkotike”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, pas verifikimit dhe matjeve nga Policia ka rezultuar se substanca ishte e llojit marihuanë dhe peshonte 26.3 kilogramë.

“Droga është sekuestruar dhe bashkë me të si prova materiale janë konfiskuar automjeti dhe dy celular.Në koordinim me prokurorin kompetent, është iniciuar rasti dhe personi i dyshuar është derguar në mbajtje për 48 orë për proceduar të mëtejme ligjore”, thuhet tutje aty.

Tutje Policia ka njoftuar se edhe operacioni i dytë është zhvilluar sot në koordinim me stacionin policor në Klinë, rajoni i Pejës, ku gjatë verifikim dhe kontrollit të dy personave, në një automjet janë gjetur dhe sekuestruar sasi e dyshuar e substancës narkotike.

“Gjatë kontrollit më në detaje, drogë e llojit marihuanë ka rezultuar të jetë fshehur edhe nën plastikën e ventilimit mbi motor të automjetit ne peshë prej mbi 500 gram. Në këtë rast si dëshmi janë konfiskuar edhe një thikë, dy pako rizlla dhe para të gatshme, përderisa dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme”, thuhet tutje aty.

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni i tretë, i anti-drogës së Policisë së Kosovës, i koduar me emrin “ Trekëndëshi” sot ka vënë nën pranga tre persona të dyshuar (dy shtetas kosovarë dhe një shtetas shqiptar) dhe është realizuar në mbështetje të njësitit policor për reagim të shpejtë (NjRSh) në Gjilan dhe njësive tjera.

“Ky operacion i suksesshëm policor ka rezultuar me konfiskimin e rreth nëntëmbëdhjetë (19) kilogramëve substancë të dyshuar narkotike, e cila është gjetur në automjetin e njërit nga të dyshuarit. Si dëshmi janë sekuestruar, droga rreth (19 kg), dy automjete dhe para kesh 958 euro dhe 2700 lekë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar në koordinim me prokurorin dhe Gjykatën Themelore në Gjilan, përderisa tre të dyshuarve u caktohet masa e ndalimit policor.