Aksioni i Policisë dhe PSRK-së në Ministrinë e Mjedisit, një i arrestuar e një tjetër në kërkim, sekuestrohen armë e dokumente

Një person është arrestuar pas aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të martën më 08.10.2024.

Dy institucionet njoftuan se i dyshuari I.B. u arrestua për veprat penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, dhe – armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, i dyshuari i dytë, N.H. nuk është gjetur në vendbanimin e tij. Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar; shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 revole e tipit MAUSER-WERKR me 2 karikator me nga 7 fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë  9 mm, 34 fletë dokumente të ndryshme, 3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax, 17 USB, 3 laptopë HP, 4 shtëpiza kompjuteri si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.

Sipas njoftimit të dy institucioneve, aksioni u zhvillua pas hetimeve disamujore.

I arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa Prokuroria e Policia thonë se hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Shënim: Në këtë artikull janë ndryshuar inicialet e njërit të dyshuar pasi këtë e kanë sqaruar përmes një komunikate të përbashkët Policia dhe PSRK. Koha e editimit: 08.10.2024, ora 19:04.