Aksioni i Rinisë Demokratike të Kosovës para Qeverisë së Kosovës, 12.08.2024. Foto: PDK
Aksioni i PDK-së në Ditën e Rinisë: Rinia po ikë, Albin Kur’ti?
Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka organizuar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës sot (12.08.2024), në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
“Rinia po ikë, Albin Kur’ti?” – ishte pyetja e tyre, duke mbajtur kështu përgjegjës Qeverinë Kurti për largimin e qytetarëve nga Kosova.
Sipas kësaj partie, në tri vitet e fundit Kosovën e kanë lënë mbi 200 mijë vetë, kryesisht të rinj.
“Kjo Qeveri është përgjegjëse për humbjen e shpresës dhe perspektivës së rinisë kosovare, e cila tashmë po projekton ëndrrat e saj larg familjes, shoqërisë dhe vendlindjes së tyre” – ka shkruar PDK në Facebook krahas fotografive të aksionit.
Rinia Demokratike thotë se kjo Qeveri ka dështuar të përmirësojë jetën dhe mirëqenien e rinisë kosovare, prandaj duhet të shkojë në shtëpi.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë u urua sot nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ideja e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ishte propozuar në vitin 1991 nga të rinjtë që ishin mbledhur në Vjenë të Austrisë, në sesionin e parë të Forumit Botëror të Rinisë të Sistemit të Kombeve të Bashkuara. Forumi rekomandoi që të shpallet një Ditë Ndërkombëtare e Rinisë, veçanërisht për qëllim të mbledhjes së fondeve dhe promovimit, për të mbështetur Fondin Rinor të Kombeve të Bashkuara në bashkëpunim me organizatat rinore.
Shtatë vjet më vonë, më 1998, një rezolutë që shpalli 12 gushtin si Ditën Ndërkombëtare të Rinisë u miratua nga sesioni i parë i Konferencës Botërore të Ministrave Përgjegjës për Rininë, e cila u organizua nga Qeveria e Portugalisë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara në Lisbonë, 08.08.1998 deri më 12.08.1998.