Aksioni i Inspektoratit të Punës për të drejtat e punëtorëve, gjen shumë parregullsi në një fabrikë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po shfaqen pamjet e aksionit të Inspektoratit të Punës në një fabrikë prodhimi në rajonin e Gjakovës.

Aksioni vjen pasi në fillim të këtij muaji në KALLXO.com ishte paraqitur një ankesë se në kompaninë në fjalë punohet edhe gjatë orëve të natës dhe për punën e bërë nuk ofrohet ndonjë kompensim shtesë siç e përcakton Ligji i Punës.

Ankesa e punëtorit pasi ishte trajtuar nga hulumtuesit e KALLXO.com ishte bartur në Zyrën e Kryeinspektorit të Punës.

Me kërkesë të kryeinspektorit Hekuran Nikçi, udhëheqësja e Inspektoratit të Punës në Gjakovë i ka angazhuar inspektorët për verifikimin e pretendimeve.

Inspektimi në fabrikë konstaton një varg parregullsish.

Siguria në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur, makineritë prodhuese nuk kanë manuale të përdorimit, dhe punëtorët nuk marrin sipas rregullave ligjore pushimet të cilat u takojnë.

Po ashtu inspektimi vërteton edhe ankesën se puna gjatë natës nuk kompensohet me pagë shtesë siç e ka përcaktuar Ligji i Punës.

Pas përfundimit të kontrollit në terren, inspektorët e punës nisen te pronari i biznesit, të cilin e intervistojnë për lëndimin në vendin e punës.

Nga fillimi i vitit, KALLXO.com ka lansuar platformën për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve.

Mbi 100 raportime janë grumbulluar në javët e para prej kur platforma është lansuar dhe qytetarët kanë mundësinë të raportojnë.

Të drejtat e punëtorëve lidhen me kushtet e punës, kontratat e punës, pushimin e lehonisë, ushqimin, pagën e shumë të drejta që punonjësve që garantohen me Ligjin e Punës dhe kontratat e punës.