Aksioni i ATK-së, Prishtinë. Screenshot: Emisioni "Të drejtat e punëtorëve"

Aksioni i ATK-së në Prishtinë kundër bizneseve që nuk i kanë regjistruar punëtorët

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet aksioni i Administratës Tatimore të Kosovës ndaj një lokali në Prishtinë, ku dyshohet se pronari nuk e ka deklaruar një punëtore.

Lidhur me ngjarjen, në redaksinë e KALLXO.com paraprakisht ishin pranuar informata për rastin të cilat më pas ishin dërguar për bashkëpunim në ATK.

Aksioni është kryer nga inspektorja Shirin Beqiri dhe inspektori Valdrin Nalli, nën udhëheqjen e Gjelbrim Krasniqit.

Gjatë realizimit të aksionit, inspektorët e ATK-së kanë njoftuar pronarin e lokalit lidhur me procedurat që duhet ndjekur në momentin që lidhet marrëdhënie pune me një person të caktuar.

“Në momentin që veç e ke fillu marrëdhënien e punës me punëtorin me lidhë kontratën e punës dhe në bazë të ligjit të punës qysh është e përcaktuar, atëherë përgjegjësia mbetet te punëtori në momentin që e shkëputë kontratën pa njoftimin tuaj dhe pastaj obligohesh që me i ndjekë procedurat ligjore të përcaktuara me ligj”, i është drejtuar inspektori Nalli pronarit të lokalit.

Tutje Nalli ka treguar se pas përfundimit të punës në terren, në momentin që kthehen në zyrë shikojnë edhe sistemin ku janë të regjistruar punëtorët për të parë nëse ka parregullsi të tjera.

Krejt në fund të punës, sipas inspektorit Nalli shkruhet një raport përfundimtar i cili i delegohet departamentit përkatës për të shqiptuar gjobën dhe ndëshkimet për biznesin në fjalë.

“Raportin e dërgojmë tek ata, pastaj të thërrasin ata për çështje të tjera. Biznesi do të ndëshkohet nga zyra për gjoba dhe ndëshkime”, ka thënë Nalli.

Sipas Ligjit në ditën e parë të punës punëtori duhet të pajiset më kontratë të punës në të cilën shkruhen kushtet e marrëdhënies së punës, orari i punës, e drejta për pushim, mënyra e zgjedhjes së kontratës dhe kushte të tjera.

Disa javë më parë në KALLXO.com është krijuar një hapësirë e veçantë ku secili prej qytetarëve që është dëshmitar i shkeljeve të të drejtave të punëtorëve mund t’i raportoni ato.