Foto: Ilustrim

Aksioni i arrestimeve në Ferizaj, Policia sekuestron armë, municione e çekan për damkosje

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në rajonin e Ferizajt, në një aksion ka arrestuar tetë persona të dyshuar për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në njoftimin e Policisë thuhet se aksioni erdhi pas hetimeve disamujore si rezultat i sigurimit të provave materiale dhe dëshmive, ku edhe ka filluar implementimi i planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2021”.

Sipas të dhënave nga Policia, në fazën e parë, urdhërkontrolli është realizuar në tetë lokacione të ndryshme, te personat zyrtarë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj.

Tutje sipas të dhënave nga Policia, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit, në lokacionet e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë në vijim: Armë gjuetie 6 copë, revole 2 copë, 6 karikatorë të revoles, 2 karikatorë të AK-47,  20 fishekë cal. 9 mm, 30 fishekë 7.65, 4 fishekë cal.12 mm, 13 telefona mobilë, 1 çekan për damkosje dhe materiale të tjera si fletore xhepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë etj.

Të dyshuarit e përfshirë, sipas Policisë, dyshohet se kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar si teknikë të pylltarisë dhe roje pylli, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë pranuar ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga disa qytetarë të cilët janë dëmtues recidivistë të pyllit.

Pas realizimit të intervistimeve me personat e dyshuar, në prezencë të avokateve mbrojtës, nga prokuroria kompetente, 8 të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në afat prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.

Të arrestuarit e sotëm në Ferizaj janë zyrtarë të Drejtorisë për Bujqësi e Pylltari